Ilustrim

Pejë, arrestohet Princ Dobroshi

Policia e Pejës ka njoftuar se sot ka arrestuar 2 persona, për të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në një përleshje fizike mes shumë vetash të shtunën në Pejë.

Me këta dy shkon në tre numri i të prangosurve që dita e incidentit.

“Pas një pune intensive operativo-hetimore hetuesit e Stacionit Policor në Pejë, kanë bastisur edhe tri (3) lokacione tjera dhe sot me datë 09.12.2019, kanë arritur të arrestojnë edhe dy të dyshuarit tjerë të cilët ishin në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë së Pejës.

Pejë, rrahje mes disa personash, arrestohen 3 të dyshuar

KALLXO.com mëson se njëri prej të arrestuarve është Princ Dobroshi.

Më 2012, Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se Princ Dobroshi kishte hapur një bastore pasi ishte kthyer nga një vend europian, ku ishte dënuar me burg nën dyshimet se ishte bosi i drogës në Europë.

Princ Dobroshi Nis Biznesin e Basteve në Kosovë

Ai e ka të ndaluar hyrjen në vendet e Bashkimit Europian.

Autoritetet policore në Norvegji e në Republikën Çeke, vende këto ku Dobroshi kishte vepruar, e kishin vlerësuar si bosin e mafies shqiptare të drogës. Mediat në këto vende i kanë vënë nofkën “Peshkaqeni”.

Lidhur me arrestimin e Princ Dobroshit, KALLXO.com ka pyetur Prokurorinë e Pejës.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, nuk ka treguar nëse Dobroshi është i arrestuari nga Policia. Ai ka përmendur vetëm inicialet dhe për çka dyshohen.

“P.D. dhe A.D. janë ndaluar me aktvendim të prokurorit të shtetit për 48 orë. Të njëjtit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale- lëndim i lehtë trupor. Të njëjtit kanë qenë në arrati. Me herët lidhur me këtë rast është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë një i dyshuar për veprën penale – armëmbajtje pa leje”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës.