Pejani dëshmon se si iu vodhën stolitë e telefoni

Një vjedhje e stolive, telefonit e gjësende tjera që ndodhi në vitin 2014 po gjykohet në Gjykatën e Pejës.

Në rastin ku i akuzuar për vjedhje është Agron Avdullahu, sot u dëgjuan  disa dëshmitarë, ndër të cilët ishte pronari i shtëpisë ku ndodhi vjedhja dhe një person tjetër që e ka blerë një Iphone që dyshohet se ishte vjedhur nga Avdullahu.

Pronari i shtëpisë, Demir Asllani, rrëfeu para gjykatës se natën kritike përmes dritares së dhomës së ditës, disa persona kishin depërtuar në shtëpinë e tij duke demoluar disa pjesë të shtëpisë, me ç’rast ai kishte njoftuar policinë.

Ai tregoi se telefoni që ishte përshkruar si i vjedhur në aktakuzë ka qenë i tij ndërsa stolitë të bashkëshortes dhe vajzave të tij.

I dëmtuari tha se i akuzuari për nga gjatësia i ngjason njërit prej personave qe përmes kamerave të sigurisë shihen të kenë marrë pjesë në grabitjen por që fytyrën nuk kishte arritur të ja shoh.

“Nga ajo qe kam parë ne incizim 3 prej tyre kanë qenë me të gjatë ndërsa i 4-ti ka qenë i shkurtër, i akuzuari sipas gjatësisë i ngjason atyre të treve”, tha  Asllani.

Para trupit gjykues dëshmuan edhe Shkumbim Brahimaj dhe Besnik Sejdaj.

Shkumbim Brahimaj, tha se  ai të akuzuarin nuk e ka njohur para se të ndodhë rasti.

Prokurori Haxhi Sinanaj e ballafaqoi me deklaratën e tij në prokurori ku e ka pranuar se e ka njohur të akuzuarin

“Është e mundshme që kam deklaruar ashtu unë personin në fjalë se kam njohur por para rastit kam thënë se e kam parë ndonjëherë duke ardhur ne hotel”.

Brahimaj tregoi se kartela e tij kishte qenë në telefonin e vjedhur “Iphone”. Ai  tha se kjo kishte ndodhur pasi një klient në hotelin ku ai punonte me emrin Aleks, i kishte kërkuar kartelën në mënyrë qe te verifikonte a është i bllokuar apo jo telefoni i llojit “Iphone”.

“Aleksi kërkoj nga unë që të ja jap kartelën e telefonit tim që ai ta fus në “Iphone” që ta provojë a është i bllokuar apo jo telefoni, pastaj më ka lënë numrin mbi shank dhe ka ecë”, tha Brahimaj.

Dëshmitari shtoi se me rastin e arrestimit të vëllait të tij e kishte pyetur Aleksin se ku e ka marrë atë telefon “Iphone”, ku ai i kishte thënë se e kishte blerë nga i akuzuari Agron Avdullahu.

Para trupit gjykues u deklarua edhe dëshmitari Besnik Sejdaj, i cili sipas aktakuzës kishte blerë telefonin “Iphone” nga i akuzuari Agron Avdullahu.

Ai tha se të akuzuarin e njeh prej pazarit të veturave, dhe se në këmbim të një borxhi ai i kishte ofruar një “Iphone” në vlerë prej 70 eurove.

Sipas aktakuzës Avdullahu, në fshatin Vitomericë, Pejë me qëllim të përfitimit të  kundërligjshëm dhe duke depërtuar me force brenda shtëpisë së të  dëmtuarit D.A, merr një Iphone në vlerë 250 euro, një pushke gjuetie, tri unaza ari në vlerë prej 540 euro, dy burme ari në  vlere 300 euro, tri byzylyk në vlerë prej 600 euro, dy palë vathe në  vlerë prej 300 euro, dy komplete argjendi në vlerë 400 euro, një komplet ari në  vlerë prej 150 euro, si dhe unaza dhe vathë të  tjera te arit.

Seanca e sotme është ndërprerë për shkak të angazhimeve të prokurorit të rastit Haxhi Sinanaj, për të vazhduar me datë 20 nëntor 2019.

Seanca e kaluar nuk ishte mbajtur për shkak të mungesës së prokurorit Sinanaj.