foto: Ilustrim

Pejani arrestohet për vjedhje të pesë shtëpive dhe për përdorim të drogës

18 vjeçari me inicialet F. R është arrestua nga policia e Pejës, mbrëmjen e kaluar.

I njëjti dyshohet për tri raste të vjedhjeve si dhe për posedim të substancave narkotike.

Policia ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar mbrëmë pasi ishte identifikuar se ka qenë i kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe se i njëjti kishte pasur një urdhëresë për vuajtje të dënimit për vjedhje të rëndë.

Sipas policisë, mbrëmë rreth orës 21 e 15, policia në një pikë kontrolli ka ndaluar një veturë në të cilën gjendeshin katër persona.

Njëri nga katër personat ishte edhe F. R 18 vjeç i kërkuar nga gjykata në Pejë.

Gjithashtu gjatë kontrollit të 18 vjeçarit policia ka gjetur edhe një sasi të substancës narkotike të dyshuar si marihuanë.

I dyshuari është arrestuar ndërsa substanca e dyshuar është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Për këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ku pas intervistimit edhe për veprën penale për përdorim të substancave narkotike është hapur rast i ri. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.

“Hetuesit policorë, gjatë intervistimit, dhe pas ekzaminimit daktiloskopik të gjurmëve latente të gishtërinjve kanë arritur të zbulojnë edhe tri (3) vepra penale të vjedhjes së rëndë, që i dyshuari i kishte kryer gjatë këtij muaji, me ç’ rast kishte thyer, pesë (5) shtëpi, tri (3) në Pejë dhe dy (2) në një fshat afër qytetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, personit të dyshuar i është caktuar ndalimi policor për 48 orë.

Pas përfundimit të procedurave hetimore ndaj të dyshuarit, i njëjti do të dërgohet në vuajtje të dënimit sipas urdhëresës së gjykatës.