Pejanët paralajmërojnë protestë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në grykën e Lumbardhit

Qytetarët e Pejës kanë paralajmëruar protestë, për të kundërshtuar projektin e hidrocentraleve që po planifikohet të ndërtohet në Lumbardh.

Komuniteti Lokal i Rugovës ka njoftuar se protesta me moton “Mos e prek Lumbardhin” pritet të mbahet të hënën me 25 shkurt, duke filluar nga ora 12:00, në sheshin e qytetit të Pejës.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala të martën(19 shkurt) kishte njoftuar se dy investitorë kanë përmbushur kriteret teknike dhe po planifikojnë investimin e 225 milionë eurove në Kosovë.

“Solar Kosova 2020” planifikon investimin e 128 milionë eurove në Komunën e Obiliqit dhe “KelKos-Energy Peja SH.P.K” 97 milionë në Komunën e Pejës. Të dyja këto projekte në energji alternative”, kishte deklaruar ministri Shala.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, të mërkurën(20 shkurt) i ishte drejtuar ministrit Shala me një letër, përmes të cilës kishte thënë se Kuvendi Komunal i Pejës tashmë ka miratuar Planin e Zhvillimit Komunal i cili ndalon çdo lloj investimi të tillë nga ky investitor sepse sipas tij, kjo kompani kishte shkaktuar dëme të mëdha për ambientin në Grykën e Deçanit.

“Projektet të cilat janë zhvilluar në anën tonë, e sidomos në Grykën e Deçanit nga po i njëjti investitor, dëmet ambientale kanë qenë kolosale, kështu që ne kemi marrë veprimet tona dhe kemi stopuar çdo komunikim me investitorin”, thuhet në letrën e Muhaxherit.

I pari i kësaj komune, ndër të tjera ka shtuar se nëse lejohet ndërtimi i këtij hidrocentrali, do të bllokohen 25 kilometra dhe se qyteti i Pejës, shtyllën kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, e ka turizmin në Grykën e Rugovës.

Gazmend Muhaxheri kundër ndërtimit të hidrocentralit në grykën kryesore të Lumbardhit

Planifikohet investim prej 225 milionë eurove në energji