Peja. Foto: Kallxo.com

Peja vendosi se si do të kompensojë orët e humbura gjatë grevës

Nxënësit e shkollave të Pejës pushimin veror do ta kenë një javë më vonë nga ajo që ishte paraparë përmes vitit kalendarik.

Kjo pasi që sot Drejtoria e Arsimit së bashku me drejtorët e shkollave kanë vendosur që orët e humbura gjatë grevës t’i zëvendësojnë një javë në fund të vitit shkollor.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në këtë komunë, Besim Avdimetaj.

“Sot e pata takimin me drejtorët e shkollave, një pesë ditësh është kompensuar gjatë muajit mars të shtunave dhe 70 % e shkollave e kanë kompensuar një javë ditë. Ndërsa drejtorët e shkollave sot u pajtuan që ta shtyjnë një javë ditë pushimin në fund të vitit apo ndonjë orë shtesë ta mbajmë në mënyrë që të bëhet kompensimi i orëve”, tha Avdimetaj.

Përveç Pejës, edhe komuna e Prishtinës dhe Obiliqit kanë filluar që të gjejnë mënyra për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur me 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.

E për  këtë Këshilli i Prindërve është shprehur skeptik për aftësinë e DKA-ve për kompensimin e tyre.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund të i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva tre javëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.

“Hallakama” për kompensimin e orëve të mësimit