Qendra e qytetit të Pejë - Foto: Atdhe Mulla

Peja planifikon të shpenzojë mbi 300 mijë euro për rrënimin e objekteve pa leje

Komuna e Pejës ka hapur një tender që kap vlerën e mbi 300 mijë eurove për rrënimin e objekteve pa leje në këtë komunë.

Komuna e Pejës për këtë projekt ka procedurë tenderuese të hapur ku të gjithë operatorët ekonomikë që tri vitet e fundit kanë punuar projekte të natyrës së tillë, duhet të ofrojnë dëshmi të kënaqshme për Autoritetin Kontraktues që qarkullimi i Operatorit Ekonomik gjatë tri viteve të shkuara ka qenë jo më pak se 450 mijë euro.

Gjithashtu operatori duhet të dëshmojë se ka përfunduar me sukses së paku një projekt të natyrës së kontratës në tri vitet e shkuara.

“Operatori ekonomik duhet të ofroj dëshmi se ka përfunduar me sukses kontratat për projekte të ngjashme në vlerë prej 350,000.00 euro në 3 (tri) vitet e fundit”, thuhet në njoftimin për kontratë.

Në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar ofertat e detajuara për këtë kontratë.

Si kriter i dhënies së kontratës është paraparë çmimi më i ulët.

Vlefshmëria e tenderit është 90 ditë, ndërsa afati i fundit për pranim të tenderëve është data 29 maj të këtij viti.

Ndryshe, Demë Dashi, ish-Drejtor i Inspeksionit në Komunën e Pejës akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përkatësisht se ka lejuar ndërtimin e disa objekteve pa leje.

Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Sipas aktakuzës ai ju ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm personave Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj,

Ky rast është në proces gjyqësor në Gjykatën Themelore të Pejës.

Prokuroria e Pejës po ashtu ka ngritur aktakuzë ndaj Mahir Shalës, nga kompania ndërtuese ‘INTERN INVESTMENT GROUP’, me seli në Pejë, pasi e njëjta ka ndërtuar objekt hotelier në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, pa patur leje për të ndërtuar.

 

Në Parkun Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’ ndërtohet hoteli gjigand pa leje – DOKUMENT

.