Peja miraton gjetjet e auditimit kombëtar, e sheh sfidë mbledhjen e borxheve komunale  

Pas gjetjeve të Auditorit, Komunës së Pejës i kërkohet të punojë në përmirësimin e procedurave të prokurimit, menaxhimit të kontratave si dhe arkëtimin e borxheve.

Komuna e Pejës ka shënuar progres sa i përket numrit të rekomandimeve të pranuara nga Auditori i Përgjithshëm dhe zbatimit të tyre, megjithatë duhet të punojë në përmirësimin e procedurave të prokurimit, menaxhimit të kontratave si dhe arkëtimin e borxheve, konsiderojnë auditorët nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Kështu është thënë edhe sot në debatin për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në Komunën e Pejës, ku kanë qenë të pranishëm kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, udhëheqësi i Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Arian Haxha, Visar Prebreza nga BIRN-i si dhe këshilltarët komunal.

Visar Prebreza nga BIRN-i ka vlerësuar se në Komunën e Pejës ka një progres sa i përket numrit të rekomandimeve të pranuara vit pas viti. Kurse sa i përket zbatimit të rekomandimeve ai ka thënë se janë zbatuar 6 prej 15 rekomandime sa kanë qenë gjithsej në vitin 2019.

Prebreza ka thënë se Komuna e Pejës duhet të punojë më shumë në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.

Ai ka bërë me dije se sikurse në komunat e tjera, edhe në Pejë janë identifikuar dobësi te ndarja e subvencioneve, janë evidentuar disa shkelje në prokurim, si dhe borxhi ndaj komunës është i madh, rreth 18 milionë euro.

Udhëheqësi i Auditimit në ZKA, Arian Haxha ka thënë se niveli i zbatimit të rekomandimit është treguesi më i mirë për të kuptuar nëse menaxhmenti po përmirëson proceset ekzistuese dhe kontrollet në fushat ku janë identifikuar gabimet dhe parregullsitë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se Raporti i Auditimit është i pranueshëm dhe se do të adresohen gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm. Muhaxheri është zotuar se disa prej gjetjeve të auditorit të vitit 2020, nuk do të përsëriten në raportin e auditimit për vitin 2021, meqë është përgatitur plani i adresimit të tyre.

Ai ka thënë se janë ndërmarrë masat sa i përket dobësive të evidentuara në procesin e ndarjes së subvencioneve për OJQ, kurse sa i përket gjetjeve në procesin e menaxhimit të kontratave ai ka thënë se është problem të adresohen rekomandimet meqë ka numër të vogël të mbikëqyrësve të këtyre kontratave. Ndërsa lidhur me borxhet ndaj komunës, ai ka thënë se ky proces është më sfidues.

Ky debat është organizuar nga BIRN Kosova në kuadër të Projektit me USAID TEAM i cili ju ka ndihmuar komunave që t’i zbatojnë rekomandimet e auditorit.

Debati ka për qellim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e raporteve të auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve.