Ndertesa e Komunes se Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Peja miraton buxhetin e 2020-tës, opozita kritikon

Komuna e Pejës ka miratuar buxhetin e paraparë për vitin 2020 në shumën prej 28 milionë e 545 mijë  euro.

Sipas këtij buxheti edhe viti 2020 do t’i gjej rreth 20 fshatra të Pejës pa  plan për ujë të pijshëm dhe Lagjen 7 Shtatorin, pa shkollë fillore, kjo sepse në buxhetin e 2020 nuk janë ndarë mjetet për këto projekte.

Nga ky buxhet komuna ka paraparë për bujqësi 620 mijë euro, 100 mijë euro për vetura, ndërsa për arsim dhe shkencë janë ndarë 1 milionë e 430 mijë euro.

Problemi kryesor i qytetit të Pejës, sipas asamblistëve është uji i pijes, ndonëse në këtë buxhet nuk parashihet një zgjedhje për këtë problem

Peja momentalisht udhëhiqet nga Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nazmi Krasniqi, asamblist i AAK, në kuvendin komunal tha se ky buxhet nuk iu përshtatet nevojave të qytetareve të Pejës dhe nuk është i duhuri pasi që nuk është planifikuar një zgjidhje për furnizimin me ujë të pjesëve të kësaj komune dhe për problemin e kanalizimit.

“E, Ky projekt buxhet në të cilin nuk parashihet që edhe 20 vjet pas luftë, afër 20 fshatra pa i përfshi ato të Rugovës, ende nuk kanë ujë të pijshëm dhe nuk parashihet prapë se prap siç do të zgjidhet kjo çështje dhe ska mjete të ndara për këtë çështje. Ky planifikim është jo i mirë edhe jo me kërkesat edhe nevojat e banorëve të Pejës, posaçërisht të banorëve të pjesës rurale ku ende ska ujë të pijes, ende ska kanalizim të ujërave  t’ zeza “, tha Krasniqi gjatë shqyrtimit të buxhetit 2020 për komunën e Pejës.

Ndarjen e 3 milionë eurove për infrastrukturë rrugore e kritikoi Reshat Nurboj, nga Alternativa duke e quajtur qeverisjen lokale  “pushtet të betonit dhe i asfaltit”.

“Mirëpo, sipas meje do ta shohin edhe qytetaret më vonë, se kjo është pushtet vetëm i betonit edhe i asfaltit, gjitha paret i dërgojnë atje ndërsa për elementet jetësore qenësore të popullatës asgjë nuk bëjnë. Pe përmendi  që 7 muaj qyteti i Pejës, qendra ma qendrore e Pejës nuk kanë ujë, i rikthehemi shekullit 16 duhet të lahemi me capllaka e me kazana , nuk kena as ujë as gjithçka tjetër  e mos të flasim për higjienë bashkëkohorë”, tha Nurboja.

Për ndërtimin e Shkollës së Muzikës, në Pejë, komuna ka ndarë  80  mijë euro.

Nazmi Krasniqi, në Kuvend të Pejës ngriti edhe çështjen se çka është bërë me mjetet e ndara për ndërtimin e shkollës së muzikës.

“Në mënyrë specifike e pava që ishin planifikuar  80 mijë euro mjete  për përfundimin e punimeve të Shkollës së Muzikës, mirë që janë planifikuar edhe inshallah  kryhet, është mirë ajo mu kry , po po më intereson çka u bo me qato  mjetet që patën dështu, 60 mijë mi rrënu  edhe njo 20 mijë, 60 mijë dom që ju ka shkaktuar atij që e ka ndërtuar  edhe 20 mijë toni mi rrënuar ato, ku ka shkuar procedura, çka u bo me atë lëndë, se kryetari ka pa premtuar që kjo çështje do të zgjidhet, do të paguaj dikush tjetër e kjo po duhet me pagu komuna e Pejës”, tha ai.

Për ndërtimin e shkollës fillore në lagjen ‘7 Shtatori’, e cila ishte premtuar që sa kohë, nuk i parashihet ndërtimi as në buxhetin e vitit 2020

Gazmend Muhaxheri, kryetari i komunës së Pejës për mos ndërtimin e kësaj shkolle tha se janë në bisedime për investime dhe nëse këto investime nuk bëhen deri në vitin e ardhshëm, me 30 shtator, atëherë komuna do ta ndërtojë.

“Shkollën 7 shtatori nuk e kemi fut n’ planifikim sepse jemi n’ biseda me përfaqësues të lartë të KFORIT edhe të personave të interesuar për me investuar  një shkollë evropian, domethënë  në komunën e Pejës, të cilën kanë me financuar , përveç shkollës edhe mësimdhënësit e asaj shkolle. Kemi biseduar gati 6 muaj ditë edhe iu kam dhanë afat deri në vitin e ardhshëm 30 shtator të vitit të ardhshëm, ku unë mundem me prit mos me realizu një premtim që e kom bo. Me 30 shtator të vitit të ardhshëm  e me  asamblenë komunale e planifikojmë këtë shkollë edhe e ndërtojmë vet. Përndryshe jemi duke planifikuar ndërtimin e një shkollë tjetër në Lugun e Eleshanit.

Buxheti u miratua me 20 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim edhe pse asamblistët kërkuan ndryshimin e tij.

Vitin e kaluar buxheti i komunës së Pejës ka qenë 26,598,410 euro.