Peci: Programi për Zhvillimin Rural për bujqësi për këtë vit është 26.3 milionë euro

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka prezantuar programin e Zhvillimit Rural për vitin 2022 për grante dhe subvencione.

Ministri Peci ka thënë se për këtë vit ky program ka një buxhet total prej 26.3 milionë euro.

“Progarmi për zhvillim rural 2022 grante për bujqësi ka një buxhet total prej 26.3 milionë euro. Njëherit jemi në rrugë të drejtë për arritjen e një marrëveshje për sigurimin e fondeve shtesë nga partnerë dhe organizata ndërkombëtare përmes të cilës synojmë lansimin e një projekti për përkrahje të zonave rurale, turizmit rural, me theks të veçantë edhe agroturizmi”, ka thënë Peci.

Ministri ka shpjeguar se programi ka për qëllim rritjen e konkurrencës së sektorit agro-ushqimor duke përmirësuar efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e prodhimit në fermë.

“Programi ka për qëllim rritjen e konkurrencës së sektorit agro-ushqimor duke përmirësuar efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e prodhimit në fermë, përkrahjen e fermerëve të rinj, për të orientuar prodhimin sipas kërkesës së tregut, për të përmirësuar zinxhirin e vlerës duke u fokusuar në teknologjinë e re, sigurimin e përgjigjes më të mirë ndaj kërkesës për ushqim më cilësor të sigurtë me vlera ushqyese si dhe mirëqenien e kafshëve”, ka thënë Peci.

Peci ka deklaruar se javën që vjen nis hartimi i udhëzimit administrativ për zbatimin e këtij programi.

“Për zbatimin e programit, konform legjislacionit në fuqi javën që vjen, nis hartimi i udhëzimit administrativ për zbatimin e këtij programi, grantet në bujqësi dhe do të miratohet pas realizimit të procesit konsultativ të dëgjimit paraprak dhe të dëgjimit publik”, tha Peci.

Tutje, ministri ka shtuar se për të shmangur parregullsitë, në momentin e vlerësimit do të kalojnë edhe nëpër duart e partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile

“Duke e ditur se grantet e mëhershme janë shoqëruar me parregullsi, ne do të marrim masa shtesë për vlerësimin e këtyre granteve dhe subvencioneve. Do të kërkojmë përkrahjen e partnerëve dhe organizatave të shoqërisë civile në mënyrë që të jemi objektivë dh transparentë”, ka thënë ai.