Ministri Faton Peci viziton bujqit në Vushtrri, Foto: Faton Peci/Facebook
Peci: Gruri do të subvencionohet me 474 euro për hektar, patatja me 654 euro
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se bujqit kosovar do të mbështetën financiarisht me nga 474 euro për hektar në kulturën e mbjelljes së grurit. Ndërsa, mbështetje do të kenë edhe bujqit që mbjellin patate.
“Këtë vit gruri do të subvencionohet me 474 euro për hektarë ndërsa patatja 654 euro për hektarë. Bujqit e ndershëm e punëtorë si Sadiku janë baza e zhvillimit të sektorit të bujqësisë; e ne duke patur shembuj të tillë, krijojmë politika që favorizojnë bujqit meritorë e faqebardhë”, tha Peci përmes një postimi në Facebook.
Këto komente ministri i Bujqësisë i bëri pas një vizite te një bujk nga Vushtrria.
“Sadik Abiti nga fshati Pestovë i Komunës së Vushtrrisë është një bujk i vyer i cili kultivon rreth 11 hektarë patate dhe 10 hektarë grurë. Pashë nga afër veprimtarinë e tij ditore dhe bashkëbiseduam rreth risive të përkrahjes përmes Programit për Pagesa Direkte / Subvencioneve 2022; për subvencionimin e naftës dhe inputeve për plehërim pranveror si për kulturën e patates ashtu edhe për grurin”, thuhet në njoftimin e ministrit Peci.