Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Peci e quan Abdixhikun "piun" të Isa Mustafës

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar ndaj deklarimit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se IKShPK është shndërruar në instrument politik, pas rekomandimit të kësaj të fundit për shtyrjen e zgjedhjeve të 17 tetorit.

“Dështimi katastrofal pandemik, nuk guxon të prekë demokracinë. E kemi të shenjtë. Prandaj dhe zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush. Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ministri Peci i ka përmendur zgjedhjet në Komunën e Podujevës, të cilat ishin shtyrë nga ish-presidenti, Hashim Thaçi. Për këto zgjedhje ai ka thënë se Thaçi nuk e kishte konsultuar asnjë parti.

“Këta eksponente oportunistë heshtnin, se s’donin të prisheshin me shefat e tyre. Se janë veç piuna të atit të tyre ideologjik, I.Mustafës, e dëshmuan edhe sot. Kur eksponentë të politikës na flasin për guxim, e si kinse askush NUK GUXON ta bëjë këtë e atë, mendojnë se neve na ka kapluar amnezia kolektive dhe kemi harruar se kush në të vërtetë janë ata: njerëz që me jetën e tyre politike veçse guxim nuk kanë treguar”, ka shkruar Peci në Facebook.

Peci ka përmendur edhe “avullimin” e 2.1 milionë eurove nga thesari gjatë Qeverisë Mustafa.

“Kur eksponentë të politikës na flasim për demokracinë, mendojnë se kemi harruar për historinë e tyre të re të përjashtimeve e të tërheqjes së njerëzve zvarrë, veç pse kërkonin njëmend demokracinë. Ani na flasin për demokracinë ata që ndërtuan qeverinë anti-kushtetuese, pa vota qytetare, e më atë qeveri avulluan miliona pa ndalë. Menduan se do të avullohen edhe gjurmët e keqpërdorimeve të tyre, por, pa merak, të gjitha do ju dalin ne shesh”, ka thënë Peci.

Tutje Ministri ka bërë të ditur se presidentja Osmani nuk ka vendosur t’i shtyjë zgjedhjet, por që i ka ftuar  liderët politikë për të diskutuar për gjendjen me pandeminë dhe ndikimin e saj në procesin zgjedhor.

Sot IKShKP-ja i  ka rekomanduar presidentes që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen. Pas këtij rekomandimi, presidentja Osmani ka ftuar partitë politike në një takim konsultatit të hënën.

Në letër potencohet se për shkak të gjendjes me pandeminë dhe rastet e vdekjeve, por edhe nga vlerësimi i profesionistëve shëndetësorë, IKShPK janë të mendimit që mbajtja e procesit zgjedhor që ngërthen tubime, paraqet rrezik për qytetarët.

“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga ShSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profesioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKShPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet”, potencohet në letër.

Në letrën drejtuar presidentes Osmani theksohet se procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19.

“Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën IKShPK-së.

Nga PDK kanë thënë se janë të gatshëm të marrin pjesë në këtë takim.

Edhe nga Vetëvendosje për KALLXO.com kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth shtyrjes së datës së zgjedhjeve.