Peci: Arrestimi i Arsenijeviqit akt i turpshëm i Policisë

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, e ka quajtur akt të turpshëm të Policisë së Kosovës arrestimin e politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviq.

“Me këtë akt jo vetëm qe Policia e ka privuar nga liria një qytetar që ka protestuar në mënyrë joviolente (jo të dhunshme), por me këtë e ka bë edhe zhbërjen e narrativit të rendit e ligjit të cilën me aq zë të lartë e propagandon Qeveria e Kosovës” – ka shkruar Peci, i cili më parë ka qenë përfaqësues i Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd.

Arsenijeviq nga partia “Demokacia Serbe” është arrestuar sot më 10.09.2024 pas fishkëllimave të tij. Policia ka thënë se arrestimi është bërë për “prishje të rendit”.

Arsenijeviq është dërguar në stacion dhe pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje është liruar.

Arrestimi është dokumentuar në një video të publikuar në profilin e partisë ”Demokracia Serbe”.

Ai ka shtuar se shoqërisë civile e partive opozitare nuk u bën nder heshtja kur shkelen të drejtat e njeriut e aq më tepër ndaj pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë.

“Pastaj, ejani dhe bindeni dikë që institucionet e tona i respektojnë të drejtat e njeriut dhe që i respektojnë të drejtat e komuniteteve jo-shumicë. Me këtë qasje irracionale dhe anti- kushtetuese, keni me e kërkuar Asociacionin, por nuk keni me e gjetë!” – ka thënë ai më tej.

Ky arrestim ndodhi në të njëjtën ditë që kryeministri Albin Kurti vizitoi Mitrovicën e Veriut.

Kurti u pyet nga KALLXO.com nëse do të kërkojë llogari nga Policia për këtë arrestim, duke marrë parasysh se sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, prishja e rendit dhe qetësisë publike që ka të bëjë me zhurmën konsiderohet vetëm pas orës 22 në ditë të javës, e pas orës 23 në fundjavë.

Kryeministri tha se kush ka vërejtje për Policinë e Koosvës mund t’i adresojë ato në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.

“Kjo është çështje e Policisë së Kosovës. Kush ka vërejtje për Policinë e Kosovës është Inspektorati i Policisë së Kosovës. Unë nuk i bëj dot këto dy institucione. Nuk kam as të drejtë as dëshirë t’i zëvendësoj” – deklaroi Kurti.