Kandidatja për deputete Mimoza Ahmetaj nga PDK. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

PDK zotohet se do të krijojë Sistemin Kombëtar të Emergjencave Mjekësore

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në objektivat e saj programore për sektorin e Shëndetësisë ka paraparë digjitalizimin e Sistemit Shëndetësor, përmirësimin e infrastrukturës, decentralizmin e shërbimeve, si dhe matjen e performancës së personelit mjekësor.

Kandidatja për Deputete nga kjo parti, Mimoza Ahmetaj, në kuadër të gjithë kësaj, si më të rëndësishme e sheh vendosjen e pacientit në qendër të vëmendjes – pëmes ofrimit të shërbimeve cilësore.

“PDK ka vendosur që nëpërmjet Platformës për Shëndetësinë ta ketë qytetarin në qendër të vëmendjes, në mënyrë që të gjitha shërbimet shëndetësore të jenë të kualitetitit të lartë. Po ashtu, edhe qasja në të gjitha institucionet shëndetësore për qytetarin të jetë sa më e lehtë.” – tha Ahmetaj në “Debat Përnime”, më 22.01.2025.

Pjesë e reformës në Shëndetësi, sipas saj, do jetë edhe shtimi i shërbimeve mjekësore për t’ua lehtësuar barrën qytetarëve të Kosovës.

Synim tjetër i PDK-së në kuadër të reformave për Shëndetësinë në Kosovë është edhe investimi në infrastrukturën shëndetësore – duke “ofruar pajisje të teknologjisë së fundit për Sistemin Publik Shëndetësor”.

“Synojmë që gjithë infrastrukturën ekzistuese të institucioneve shëndetësore, Qendrave Klinike dhe Spitaleve ta avancojmë, ta modernizojmë, si dhe të investojmë. Po ashtu, të gjitha këto institucione t’i pajisim me teknologjinë e fundit.” – tha Ahmetaj.

Në planet e PDK-së nëse vjen në pushtet është edhe krijimi i Qendrës së trajtimeve për kategoritë që kanë varshmëri të ndryshme – përfshirë këtu personat që janë përdorues të narkotikëve apo që kanë varësi nga alkooli.

Përveç kësaj, PDK zotohet se do të krijojë edhe Sistemin Kombëtar të Emergjencave Mjekësore, e cila Qendër parashihet të jetë e pajisur edhe me helikopterë, për raste krizash apo fatkeqësish.

Ndërkaq, Pleurat Sejdiu, derisa premtoi zbatim në përpikëri të ligjeve të Kosovës, foli edhe për nevojën e decentralizimit të shërbimeve shëndetësore.

“[Do të bëhet] decentralizimi i shërbimeve, sepse vetëm ashtu mund të rritet cilësia e shërbimeve. Vetëm ashtu mund të rritet llogaridhënia, por jo me një konglomerat ashtu siç mendohet tani, por ashtu siç ligji e parasheh: delegimi i kompetencave nga niveli qendror tek ai rajonal.” – tha Sejdiu.

Tutje, Sejdiu tha se me PDK-në do të mundësohet vetërregullimi i institucioneve shëndetësore.

“Inspektorati Qendror të jetë i pavarur, e jo pjesë e një Ministrie…” – tha Sejdiu

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.

E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Planet e PDK-së: Digjitalizim e rritje pagash në shëndetësi dhe Memorial të Gjenocidit në Prishtinë