PDK zotohet për krijimin e një Strategjie Kombëtare për Trajtimin e Krimeve të Luftës

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) zotohet se – nëse e merr mandatin për të qeverisur vendin – do të ndërtojë një Strategji Kombëtare për Trajtimin e Krimeve të Luftës.

Përparim Gruda, kandidat për deputet nga radhët e PDK-së ka shpjeguar në “Debat Përnime”, më 13.01.2025, se si është menduar të realizohet kjo Strategji – për sa kohë që ka folur edhe për Institutin aktual që trajton këto raste.

“Ne mendojmë që këtë Institut ta shndërrojmë në Qendër kërkimore dhe shkencore, siç është Instituti Albanologjik.” – ka theksuar Gruda.

Gjithashtu, Gruda tha se do të shtohet numri i prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë të prokurorëve, të cilët do t’i trajtojnë këto raste.

Ai u zotua se me “qeverisjen e PDK-së”, ky institucion do të ketë pavarësi buxhetore.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”. 

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Premtimet e PDK-së për reforma në drejtësi dhe për investime në rajonin e Prishtinës