PDK: Zgjedhja e Vjosa Osmanit me votat e Listës Srpska është dëshmi se ky koalicion varet nga Beogradi

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka konsideruar si  të papranueshme thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për votimin e Vjosa Osmanit në pozitën e kryeparlamentares.

“PDK e konsideron të papranueshme thirrjen klandestine dhe pa paralajmërim të seancës për ta zgjedhur kryetaren e re të Kuvendit të Kosovës. Kjo seancë e territ, për të cilën nuk kishte asnjë urgjencë, e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje e LDK, u mbajt pa praninë e opozitës dhe shënon herën e parë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit pa asnjë deputet opozitar”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas PDK-së votat e Listës Serbe për Vjosa Osmanin tregojnë që qeveria e re është e varur nga kjo parti.

“Zgjedhja e kryetares së re, e propozuar nga Vetëvendosje dhe e mundësuar me votat e Listës Srpska është e dëmshme për vendin dhe tregon qartë se qeveria VV-LDK jo vetëm që është në koalicion me Listën Srpska, por do të jetë e varur plotësisht nga deputetët e këtij formacioni politik dhe nga vullneti i Beogradit zyrtar. Kjo është edhe një dëshmi se ky është koalicion me Vuçiqin e Radojiçiqin dhe sojin e tyre”, thuhet tutje aty.

Tutje në këtë komunikatë PDK e konsideron për ‘keqardhje’ mënyrën sesi është votuar qeveria e re.

“Është për keqardhje se ashtu sikurse filluan pazaret politike për karrige në mes të dy partive, ashtu sonte e përfunduan në mënyrën më të turpshme zgjedhjen e kryetares së Kuvendit të Kosovës, e cila pa votat e Listës Srpska sot nuk do të mund të zgjidhej në këtë pozitë”, thuhet tutje aty.

Vjosa Osmani është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme të thirrur pikërisht për këtë çështje me 68 deputet në sallë ajo mori 65 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë  abstenim.

Partia e Kurtit do të bashkëqeverisë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Më 26 dhjetorë këtë pozitë e ka marrë, Glauk Konjufca, mirëpo për shkak të arritjes së marrëveshjes politike LVV ka rënë dakord që këtë pozitë tia kaloj LDK-së.

Ndërsa Glauk Konjufca është zgjedhur sot si ministër i Punëve të Jashtme.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deklarimet, dallimet dhe takimet e disa muajve arritën t’i zyrtarizojnë në një koalicion të dielën e 2 shkurtit 2020, gati 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.