Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK zgjedh sot kryetarin e ri

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet ta zgjedhë sot kryetarin e ri në Konventën zgjedhore.

Konventa e dhjetë e PDK-së do të fillojë nga ora 09:30 në një hotel në Prishtinë.

Në Konventë do të marrin pjesë 794 delegatë të PDK-së.

Sipas axhendës, kjo Konventë është e ndarë në dy pjesë. Fillimisht, do të jetë pjesa ceremoniale.

Deri me tani kandidaturën e ka shpallur zyrtarisht vetëm Memli Krasniqi.

Ish-kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, njoftoi të enjten se nuk do të jetë kandidat për kryetar të PDK-së pasi sipas tij, ky vendim është në të mirë të PDK-së.

Procesi për zgjedhjen e të parit të PDK-së i paraparin kohës para zgjedhjeve lokale që të mbahen më 17 tetor të këtij viti si dhe ndryshimeve që pësoi udhëheqja e saj që nga fundi i vitit të kaluar.

PDK-ja është drejtuar nga Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së, si Ushtrues i Detyrës së kryetarit, pas shkuarjes në Hagë të Kadri Veselit, në nëntor të vitit të kaluar, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ngritur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, PDK u rendit e dytë, pas Lëvizjes Vetëvendosje, duke u bërë subjekti politik më i madh opozitar.