PDK: Veprimet e qeverisë të paplanifikuara mirë dhe të pakoordinuara

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për shtyp, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve, sipas saj, të paplanifikuara mirë dhe të pakoordinuara si duhet.

Çitaku deklaroi se vendosja e barrikadave dhe pengimi i lirisë së lëvizjes në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm.

“Sa i përket Qeverisë së Kosovës, aksioni i mbrëmshëm dëshmoi edhe një herë se vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë dhe prandaj nuk arriti që të realizohet. Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të Qeverisë, po krijon një përshtypje që veriu është i pamenxhueshëm dhe që situata atje është jashtë kontrollit të shtetit. Po ashtu, veprimet e Qeverisë do të duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë, jo vetëm të dëgjojnë ata në momentet e fundit të krizës”, tha Çitaku.

Ajo tha se PDK me shqetësim i ka ndjekur zhvillimet e mbrëmshme në veri të vendit dhe e konsideron si shumë shqetësuese, sipas saj, konfuzionin e krijuar në opinionin publik në lidhje me situatën në veri.

“Provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar, të monitorohen dhe të denoncohen edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare. PDK vlerëson se situata e tanishme edhe një herë e vërteton faktin që një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e fokusuar në njohjen reciproke, është urgjente. Ne mirëpresim angazhimin aktiv të SHBA-ve dhe BE-së për të de-eskaluar situatën”, tha ajo.

PDK-ja gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria të shpjegojë qartë se cili është vendimi i ri dhe çka do të ndodhë në 30 ditët e ardhshme.

Çitaku po ashtu tha se bashkërendimi i të gjithë akterët relevantë, ndërkombëtarë e vendorë, është i rëndësishëm para marrjes së vendimeve të rëndësishme për vendin.

“Presim nga Qeveria që të tregoj seriozitet, të sillet përgjegjshëm, të ndërmarr veprime të planifikuara mirë në koordinim gjithmonë me aleatët tanë. Situatat si ajo mbrëmë, ku qytetarët u lanë në ankth dhe huti, mërgimtarët e bllokuar dhe pa informata në kufi, nuk guxojnë të përsëriten me 1 shtator, kur të filloj zbatimi i reciprocitetit të pjesshëm me Serbinë. Sot, nuk është koha për protagonizëm politik, por për pjekuri politike”, tha ajo.

Gjatë ditës së djeshme, një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate mbrëmë, tha se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkovic.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.