PDK vendos kapele të zeza në ulëset e deputetëve të LVV-së
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar një aksion simbolik më 16.10.2024 në Kuvendin e Kosovës para fillimit të seancës.
Ata kanë vendosur kapele të zeza në ulëset e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk kanë marrë pjesë në seancën e sotme të është thirrur nga opozita.
Aksioni vjen pas publikimit në media të disa bisedave të koordinatores për komunitete të LVV-së, Dejona Mihali me ish-drejtorin e KEK-ut Nagip Krasniqi, ku pretendohet se Mihali i është drejtuar Krasniqit me “a po vjen me kapele”.
Shefi i deputetëve të PKD-së, Abelard Tahiri ka thënë se përmes “kapelave të zeza”, Lëvizja Vetvëndosje ka vendos me mbulu krimin në faljen e borxheve të ujit.
“Këta kanë vendos me kanë kapela. Marsha te Dejonës. Këta si vet kurrkush, këtyre iu kallxojnë kur duhet më ardh në seancë, kur duhet me votu. 9 shkurti ka me jau hek kapelën prej koke. 9 shkurti ka me nxerr situatë të re në vendin tonë”- ka thënë Tahiri.
Kuvendi i Kosovës me kërkesë të 41 deputetëve po mban seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të PDK-së.
Seanca është thirrur për të trajtuar “keqpërdorimet e rreth 11 milionë eurove të faljes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha dje se “do të trajtohet edhe udhëheqja e kundërligjshme e sistemit tonë energjetikë nga Dejona Mihali”.
Kjo është seanca e dytë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita brenda tri ditësh. Të hënën është debatuar për çështjen e ushqimit në FSK, por as në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë deputetët e mazhorancës.