PDK: Vendimi i Supremes për rrymën, i ndikuar politikisht

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme në favor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, është në dëm të qytetarëve dhe i ndikuar politikisht.

Kështu kanë thënë sot në një konferencë për media, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu dhe avokati, Faton Fetahu.

Abdullahu tha se e kundërshtojnë ashpër këtë vendim të Gjykatës Supreme duke e konsideruar atë si vendim të ndikuar politikisht nga qeveria aktuale.

“Të dyja këto gjykata kanë qenë të një mendimi se kjo rritje është bërë edhe në kundërshtim me ligjin edhe në kundërshtim me përpjekjen tashmë të munguar – që qytetari i Kosovës të mbrohet nga shtrenjtimi i energjisë elektrike. Ne e kundërshtojmë ashpër këtë vendim të Gjykatës Supreme duke e konsideruar atë si vendim të ndikuar politikisht nga Qeveria aktuale. Gjykata Supreme duket se ka qenë e prirur nga interesa të tjera klanore, karieriste dhe posaçërisht politike”, ka thënë Abdullahu.

Sipas zëdhënësit të PDK-së, po të mos ishte kështu e ndikuar, do të vendoste ashtu siç kanë vendosur tashmë Gjykata e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit.

“Në kohën kur çmimet e artikujve bazik janë rritur papërballueshëm dhe ato vazhdojnë të mos kenë të ndalur në rritje. Në kohën kur inflacioni po rritet ashtu si kurrë më parë në këto vitet e fundit, muajin e fundit që lamë, pra në maj, inflacioni është 12.5 %”, tha ai.

Abdullahu ka shtuar se Partia Demokratike e Kosovës do ta vazhdojë angazhimin e saj rreth kësaj teme, për të sjellë drejtësi para qytetarëve të Kosovës.

“Ne do të gjejmë forma të mundshme juridike për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë”, ka përfunduar Abdullahu.

Avokati Faton Fetahu ka thënë se ky është një vendim i padëgjuar në vendimmarrjet gjyqësore të sistemit të Kosovës.

“Është kusht që Gjykata Supreme t’i vlerësojë tri kushte para një vendimi dhe këtë nuk e ka bërë. Një prej këtyre kushteve është vlerësimi se a është ai vendim në dëm të interesit qytetar. Prandaj, Gjykata nuk e ka bërë punën e saj në pajtim me ligjin, duke rënë ndesh me disa parime të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Supreme, me keqardhje e them, duket se e kishte të gatshëm këtë vendim”, ka thënë avokati Fetahu.

Më tej, ai ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës tani do ta dërgojë këtë vendim për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Tashmë, i autorizuar nga PDK-ja, unë kam filluar procesin e shqyrtimit të këtij vendimi dhe të njëjtin do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese brenda dy javëve të ardhshme.”, ka përfunduar Fetahu.

Në shkurt të këtij viti  Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj do të paguanin më shtrenjtë tarifat e entergjisë.

Ndaj këtij vendimi kishte ushtruar padi, Partia Demokratike e Kosovës e cila kishte konsideruar se vendimi i ZRRE-së do t’i shkaktonte dëmë të pariparueshëm qytetarëve të Kosovës.

E lidhur më këtë kërkesë në prill të këtij viti vendosi Gjykata Themelore në Prishtinë përmes gjyqtarit Kreshnik Kaçiu.

Vendimi të cilin e ka siguruar KALLXO.com e ka pezulluar përkohësisht rritjen e tarifave të energjisë elektrike për qytetarët pasi e ka konsideruar si të bazuar kërkesën e PDK-së.

Gjykata vlerësoi se ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së do t`i shkaktonte dëm të pariparueshëm qytetarëve dhe se vendimi për pezullim është në interesin publik.

Pas këtij vendimi ka reaguar menjëherë Zyra e Rregullatorit të Energjisë e cila ka paralajmëruar ankesë.

Lidhur me ankesën muaj më parë kishte vendosur edhe Gjykata e Apelit.