PDK: Vendimi i qeverisë është popullist, duhet të miratohet Ligji i Pagave

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka cilësuar popullist, vendimin e Qeverisë Kurti për shtesat prej 100 eurove për disa kategori në Kosovë.

Bernard Nikaj, sekretar i kësaj partie, përmes një konference për media tha se qeveria po e dëshmon se nuk ka asnjë ide për të zhvilluar vendin.

Nikaj tha se krejt çka po bën Kurti është popullizmi, ndërsa ka kërkuar nga qeveria që të miratojë Ligjin për Paga.

“Pasi iu rriti çmimin e energjisë elektrike 100% qytetarëve të Kosovës dhe pasi nuk po arrin të kontrollojë rritjen enorme të çmimeve të çdo produkti elementar, Qeveria e nisi ditën sot me një tentim për të mashtruar sërish qytetarët e Kosovës përmes një lëmoshe në vlerën prej 100 eurosh”, tha Nikaj.

Tutje, ai tha se kjo ndihmë sociale është vetëm për muajin prill dhe shtroi pyetjen se ‘çka duhet të bëjnë qytetarët në muajin maj’.

Nikaj deklaroi se Qeveria e Albin Kurtit nuk ka as planifikim, as vizion e as strategji dhe nuk ofron zhvillim.

“Sot kur po flasim, jemi në mesin e muajit katër të këtij viti dhe kjo qeveri nuk ka nisur asnjë projekt të zhvillimit ekonomik apo ndonjë investim kapital që vlen për tu përmendur.

“Të gjitha këto mundohet që t’i kompensojë përmes vendimeve te momentit e qe me shume ngjajne në lëmoshë sesa në veprime të menduara e afatgjate që adresojnë nevojat e qytetarëve. Qytetarët e Kosovës do të jenë këtu edhe muajt tjerë, pas prillit, dhe çmimet enorme që u rritën gjate muajve te fundit do të vazhdojnë të mbesin të larta”, shtoi Nikaj.

PDK-ja ka konsideruar se zgjidhja më e mirë për gjithë qytetarët e vendit është miratimi i ligjit të pagave dhe rritja e magës mnimiale.

“Ky vendim i kryeministrit popullist e ka një qëllim të vetëm, të përpiqet të ndalojë pakënaqësitë e mëdha qytetare që janë akumuluar muajt e fundit nga mospuna e Qeverisë. Por, qytetarët e Kosovës tanimë e kanë kuptuar popullizmin dhe nuk bien më në kurthin e tij i cili po e dëshmon çdo ditë se nuk di të qeverisë dhe nuk ka vizion për zhvillim ekonomik të vendit”, tha në fund Nikaj.

Sot, Qeveria Kurti ka prezantuar masa të reja mbështetëse për disa kategori në Kosovë. Sipas kryeministrit Albin Kurti, Qeveria do të ndajë nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik e privat.

Kurti: Do t’i ndajmë nga 100 euro për pensionistët, punëtorët e studentët