PDK thotë se votimi i Ligjit për Rimëkëmbje nuk lidhet me hyrjen e mundshme në qeveri

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media pas votimit të Ligjit për Rimëkëmbje ka deklaruar se kjo nuk lidhet me ndonjë zhvillim të ardhshëm politik.

“Votimi i këtij projektligji nuk lidhet me asnjë zhvillim politik që mund të ndodhë në të ardhmen”, tha Hamza kur u pyet nëse PDK do të bëhet pjesë e Qeverisë.

“Ne jemi opozitë e qeverisë, por jo opozitë e shtetit, qytetarët e biznesit”, tha tutje Bedri Hamza, i cili falënderoi deputetët që votuan pro kësaj marrëveshje.

“Një opozitë që veç kritikon e s’ka alternativë, nuk është opozitë”, tha ai.

Shefi i deputetëve të PDK-së e ka cilësuar këtë qeveri si të dobët për shkak të pafuqisë që kanë brenda Kuvendit.

“Kjo është qeveri e dobët, e këtë e tregon fuqia politike në kuvend. Me i pasë numrat, nuk kish vonu kaq shumë. S’po kanë numra as me kalu me shumicë të thjeshtë. Ne e kemi votuar edhe për votimin për zgjatjen e shfrytëzimeve të ndarjeve buxhetore në qeverinë Kurti. I kemi votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare financiare. Sot e votuam dhe kontribuuam në Ligjin për Rimëkëmbje ekonomike”, tha Hamza.

Kalon Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike, qytetarët do mund ta tërheqin 10 përqindëshin nga Trusti