Bedri Hamza, Foto: PDK

PDK thotë se do insistojë që pakoja e propozuar financiare të trajtohet në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka mbajtur konferencë për media pas seancës së Kuvendit të Kosovës në të cilën nuk u miratua pakoja emergjente e propozuar nga ta.

Hamza mes tjerash theksoi se PDK-ja nuk i ka tërhequr projektligjet nga procedura dhe se do të kërkojnë që ato trajtohen.

“Më mirë sot të aprovohen se nesër, sepse nesër dëmi do të jetë dyfish më i madh. Në veçanti problemet që shfaqen në sektorin privat që pritet të përkeqësohet gjendja”, theksoi ai.

vlerësoi se këto projektligje ishin ndihmesë për të krijuar bazën ligjore për përballimin e situatës së pandemisë dhe masave të deklaruara nga qeveria.

“Sot ishte mundësia për të krijuar bazën ligjore që të përfitojnë shumë kategori të qytetarëve tanë, komunat dhe institucionet për përballimin e suksesshëm të pandemisë. Situata ekonomike pas shpalljes së pandemisë, vlerësohet si kriza që do të jetë si “depresioni i madh”, tha ai.

Shefi i deputetëve të PDK-së tha se kanë proceduar dy projektligje me qëllimin më të mirë.

“Është bërë praktikë nga Vetëvendosja shkelja e ligjit dhe Kushtetutës. Ne kemi qenë të gatshëm të debatojmë për propozimet tona, për t’i plotësuar apo ndryshuar, por të krijohet baza legale për situatën”, shtoi Hamza mes tjerash.

PDK-ja ka propozuar një pako emergjente prej 320 milion eurosh, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 në Kosovë.

Por në seancën e sotme të Kuvendit, kjo parti politike e tërhoqi propozimin pasi nuk mori mbështetjen parlamentare.

Kurse, sot kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri i Financave në detyrë, Besnik Bislimi kanë mbajtur një konferencë për media pak minuta para se të fillonte seanca e jashtëzakonshme e ftuar nga opozita për të diskutuar për pakon emergjente financiare.

Kryeministri Kurti deklaroi se në plan kanë hartimin e një pakoje tjetër për sektorin privat, derisa shtoi se kjo është vetëm pako emergjente për shkak të situatës shëndetësore.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar 377 persona me coronavirus, 63 janë shëruar si dhe janë shënuar 8 vdekje.