Avni Bytyqi PDK - FOTO PDK

PDK: Të vonuara dhe të mangëta masat ekonomike të qeverisë së shkarkuar

Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se Qeveria në detyrë e ka prezantuar një pako “të vonuar e të mangët”, të masave emergjente për të trajtuar problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia e coronavirusit.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi në një konferencë për media  ka thënë se këto masa, edhe pse të nevojshme, në këto rrethana kanë ardhur shumë vonë.

“Ne jemi në javën e tretë tani më të shfaqjes së pandemisë së virusit COVID-19 në Kosovë dhe këta hapa do të duhej të ndërrmerresinë shumë më herët, për të minimizuar dëmet e pandemisë ndaj ekonomisë së Kosovës”, është shprehur ai.

PDK ka përsëritur domosdoshmërinë që nga buxheti i shtetit të lansohet Fondi i Posaçëm për Emergjencën, që do të mundësojë ndërmarrjen e masave të shpejta dhe të domosdoshme për sanimin e dëmeve ekonomike, përmes miratimit të një Pakoje Financiare për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat, në vlerë prej së paku 300 milionë euro.

“Por, qeveria nuk i mori parasysh propozimet tona dhe dje publikoi disa masa të tjera, të cilat nuk do të mund të adresojnë në nivelin e duhur dhe të nevojshëm krizën ekonomike”, tha Bytyçi.

Zëdhënësi i PDK-së shtoi se  kryeministri në detyrë, Albin Kurti që dje  do të duhej të thirrte seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të bërë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2020.

“Nuk ka asnjë rrugë tjetër ligjore për të ndarë dhjetëra miliona euro për shpenzime që nuk janë të parapara në ligjin aktual. Për të realizuar pagesat e propozuara, rishikimi i buxhetit është i pashmangshëm dhe kjo duhet të ndodhë menjëherë”, tha ai.

PDK ka shprehur gatishmërinë që në çdo kohë të marrin pjesë në seancë për të mundësuar miratimin e masave që lehtësojnë situatën ekonomike.

Qeveria e Kosovës pritet që në dy muajt e ardhshëm t’i ndajë nga 300 euro shtesë në paga për secilin punëtor shëndetësor në Kosovë, atyre të policisë dhe zjarrfikësve.

Ky vendim i Qeverisë është marrë pas situatës me të cilën është duke u përballur Kosova me sëmundjen coronavirus.

“Pa asnjë dyshim, në front të parë të përpjekjeve tona janë stafi mjekësor dhe ai i policisë e zjarrfikësve. Secili nga ne e vlerëson në maksimum angazhimin e tyre të pashembullt, kurse Qeveria e Republikës së Kosovës për këto kategori të nëpunësve publik do të ndajë një shpërblim shtesë në masën fikse prej 300 eurove për secilin nga dy muajt në vijim. Për këtë qëllim do të ndahen 15 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

Ministria e Financave dhe Transfereve ka propozuar një buxhet prej 170.6 milionë euro për t’u përballur me situatën e pandemisë së coronavirusit.