PDK: Të rishikohet buxheti, të dedikohen 300 milionë euro për situatën emergjente

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka propozuar rishikim të buxhetit, për të dedikuar mbi 300 milionë euro për situatën emergjente të pandemisë që të përdoren për të shpëtuar bizneset dhe të punësuarit e sektorit privat, për rritur rrogat e punonjësve shëndetësorë, policëve, zjarrfikësve.

Hamza përmes një konference për media tha se Qeveria duhet të stimulojë bizneset në mënyrë që të mos bankrotojnë pasi që sipas tij, ndërmarrjet e vogla rrezikohen nëse nuk u paguhen pagat.

Ai gjithashtu ka kërkuar që të krijohet një fond që i mbështet pensionistët dhe familjet në nevojë.

“Qeveria e Kosovës para disa dite e ka proceduar dhe e ka miratuar buxhetin për vitin 2020, ka qenë një procedurë e trafikuar dhe klandestine pasi që nuk ka kërkuar as opinionin tonë si opozitë. Buxheti për vitin 2020 është deshtë të reflektojë situatën aktuale. Qeveria prapë është duke u vonuar dhe ne mendojmë se shumë shpejt duhet të ndodh rishikimi i buxhetit. Propozimi jonë është që duhet të ketë stimuj konkretë për sektorin privat. Shteti duhet t’ua bëjë pagesën e të ardhurave si paga mesatare. Shteti ka para, ka likuiditet për të marrë masa stimulante. Të stimulohen punëtorët dhe bizneset. Nuk guxojmë të lejojmë që bizneset tona të bankrotojnë”, tha ai.

”Kamatat në vonesë, për shërbimet dhe pagesën e shërbimeve publike – duhet me i liru. Njerëzit në këtë kohë nuk duhet të penalizohen për shkak të situatës në të cilën ndodhemi e më pas në rast të vonesave të tyre, të ndëshkohen për kamata vonesë. Dhe lehtësime të tjera tatimore. Deri në një kohë kur bëhet rikoperimi i gjendjes ekonomike”, shtoi ai.

Më tej ai shtoi se duhet të krijohet një fond për Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Mbrojtjes dhe për Policinë dhe që të moshuarve t’u paguhen medikamentet.