PDK: Të ndahen nga 100 euro në muaj për të punësuarit dhe të papunët

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka kërkuar nga Qeveria të ndajë nga 100 euro në muaj për të gjithë punëtorët dhe të papunët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Pagave dhe Ligjit për Pagën Minimale.

Stavileci në një konferencë për media ka thënë se Qeveria me vendimin për të ndarë nga 100 euro për disa kategori në vend të mbështetjes meritore “ka zgjedhur lëmoshën”.

“Në vend të ndihmës për të papunët zgjodhën diskriminimin dhe harrimin e tyre. Në vend të barazisë sociale zgjodhën thellimin e hendekut të pabarazisë sociale. E kur vetveten e kanë futur në kurthin e premtimeve të veta të rrejshme, e pakta që mund ta bëjnë është që të vazhdojnë për të gjithë punëtorët të ndajnë nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri të pagave dhe të ligjit për pagën minimale në vend”, ka thënë ai.

Tutje ai shtoi se paga minimale duhet të jetë më e lartë se 300 euro.

“PDK konsideron se qytetarët, me shumë të drejtë, po kërkojnë që paga minimale të jetë më e lartë nga ajo që ka propozuar qeveria dhe se paga minimale duhet të jetë më e lartë se 300 euro”, tha Stavileci.

PDK ka reaguar edhe lidhur me vendimin e Qeverisë për pagën minimale.

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka thënë se kjo parti konsideron që Qeveria Kurti po u bën diskriminim veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Të gjithë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, por jo edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk e braktisën kurrë Kosovën as në kohën më të rëndë të saj”, ka thënë Betim Gjoshi.

PDK ka përpiluar disa propozime që Qeveria duhet të marrë, për t’ua kthyer sipas tyre, dinjitetin burrave dhe grave që ishin pjesë e UÇK-së.

“PDK-ja propozon që  Qeveria duhet të vazhdojë të ju ndajë veteranëve pagë, së paku në lartësinë e pagës minimale, derisa të bëjë kategorizimin e tyre. Të nisë menjëherë pastrimin e listave të veteranëve të UÇK-së dhe kategorizimin e tyre. PDK e fton kryeministrin Kurti që të bëhet i pari që heq dorë nga të qenit veteran i rrejshëm i UÇK-së”, ka thënë Gjoshi.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka premtuar se për muajin prill pensionistëve dhe punëtorëve të sektorit privat e publik do t’iu ndahen nga 100 euro shtesë. Kurti tha se nga 100 euro do t’iu ndahen edhe studentëve, derisa vlera totale e të gjitha shtesave do të jetë rreth 100 milionë euro.