Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
PDK sot pritet ta dërgojë Ligjin për zyrtarët publikë në Gjykatën Kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës ka thirrur sot konferencë për media para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Konferenca pritet të mbahet në ora 11:00 nga zyrtarë të kësaj partie.
KALLXO.com mëson se PDK do të dorëzojë në Kushtetuese, Ligjin për zyrtarët publikë.
Ky ligj u miratua para një jave në Kuvendin e Kosovës ku mori shumicën e votave të deputetëve në lexim të dytë.
Kreu i PDK-së , Memli Krasniqi, në reagimin e tij pas miratimit të këtij ligji, tha se PDK do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Krasniqi ka thënë se përmes këtij ligji misioni i ri i kësaj Qeverie është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre.
“Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar” – ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se ky ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian.
“Përtej shkeljeve të të gjitha normave vendore, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike” – ka shtuar ai.
Partia më e madhe opozitare në Kuvend, nuk ka marrë pjesë në votimin e dytë të këtij ligji. As LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.
Deputetët opozitarë janë deklaruar kundër disa neneve të këtij ligji.
Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.