PDK: Skandal korruptiv me “Minierën e re” të KEK-ut, Qeveria Hoti abuzon qindra miliona euro të shtetit

Bajrush Xhemaili nga Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se ndërtimi i “Minierës së re” në Korporatën Energjetike të Kosovës është një skandal.

Anëtari i PDK-së, Bajrush Xhemajli, ka thënë se fillimisht Kryeministri Haradinaj, mandej qeveritë në vijim të Kurtit dhe Hotit, kanë vendosur që ta ndërtojnë “Minierën e re”, në drejtimin e gabuar, në fushën e qymyrit në veri N1, e jo në fushën jug e cila ishte pronë e KEK-ut.

“Ky është një vendim me dëm të madh ekonomik për buxhetin dhe qytetarët sepse rezultatet e studimeve të tre kompanive të përfshira tregojnë përparësitë e padiskutueshme të fushës së Jugut, ku mbi 90% e tokës në fushën e Jugut është tokë e KEK-ut.”, ka thënë deputeti i PDK-së, Xhemajli në një konferencë për media.

“Braktisja e pronës publike dhe orientimi në prona private përbën një rast të pastër të korrupsionit”, ka vlerësuar ai.

Ai ka thënë se veprim është kundër vendimeve të bordit të kësaj Korporate.

“Ky veprim që shkon kundër vendimit të Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, rekomandimeve të institucioneve kërkimore dhe ekspertëve ka për të shkatërruar KEK-un dhe sektorin energjetik në përgjithësi”, deklaroi Xhemaili.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të marrë drejtimin e duhur për krijimin e “Minierës së re” në Fushën  jug, e mos të dëmtoj, në mënyrë të pariparueshme, resurset nacionale. Në të kundërtën, nëse vazhdon kjo rrugë e nisur, provohet qartë se qeveria  Hoti synon të vazhdojë një rrugë të abuzimit të parave të shtetit, përmes korrupsionit që, i cili do ti kushtojë qindra milionë euro qytetarëve taksapagues”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në zyrën e kryeministrit për të kërkuar sqarime në lidhje me këtë çështje, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Këtu mund ta gjeni të plotë fjalimin e Bajrush Xhemjalit.