Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK shpall fitoren në pesë komuna

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shpallur fitoren në pesë komuna të Kosovës në zgjedhjet lokale që janë mbajtur sot, në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik dhe në Han të Elezit.

“Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje lokale ka shënuar një rezultat të jashtëzakonshëm anë e mbanë Kosovës.Bazuar nga të dhënat tona nga tereni dhe në rezultatet e deri tashme të KQZ-së, PDK tashmë ka fituar pa balotazh në raundin e parë në Mitrovicë, në Ferizaj, në Skenderaj, në Kaçanik dhe në Han të Elezit”, ka njoftuar Krasniqi në një konferencë për media.

Ndër të tjera, Krasniqi ka përgëzuar kandidatin e PDK-së në Prishtinë, Uran Ismajlin duke theksuar se falë programit të tij, kjo parti ka shënuar rritje 100% në Prishtinë.

“Në këto zgjedhje, në mënyrë të vecantë, e gjithë Kosova e ka përkrahur e përgezuar fushatën dhe programin e kandidatit tonë në Prishtinë, Uran Ismaili. Falë fushatës dhe programit të tij, modern dhe shembull, që i ka dhënë shpirt të ri politikës, politikës për qytetarin, PDK ka shënuar rritje 100% në Prishtinë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, Kosova sot tregoi se ka ndërtuar një sistem demokratik, institucione kredibile për të organizuar zgjedhje të lira, demokratike e shembull për rajonin.

“Sot, qytetarët treguan edhe një gjë, pakënaqësinë e madhe të tyre me punën e Qeverisë së Albin Kurtit, qysh në tetë muajt e pare të kësaj qeverie. Për ne fillon një rrugëtim i ri, duke u bashkuar me qytetarët, për ta ndalë degradimin e vlerave qeverisëse në vend”, ka deklaruar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.