ARKIV - Rashit Qalaj, Policia e Kosovës. Foto: Kallxo.com

PDK: Shkarkimi i Qalajt, hakmarrje pas arrestimit të Haki Rugovës

Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si akt hakmarrës, shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj gjatë ditës së sotme, nga ana e Kryeministrit Avdullah Hoti.

Sipas një njoftimi, PDK ka thënë se ‘fakti që ky shkarkim po bëhet kur ende nuk është mbushur një javë nga arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, lë të kuptohet se është një akt hakmarrës ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit’.

“Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet kësaj komunikate për media shpreh indinjatën për shkarkimin arbitrar të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj. Ky vendim cënon rëndë një ndër institucionet më të rëndësishëm të pavarura të shtetit. Policia e Kosovës ka dëshmuar sukses në përmbushjen e detyrave dhe ky shkarkim përbën një tentativë për kapje të shtetit. Një veprim i tillë është gjithashtu inkurajim ndaj krimit të organizuar i cili është goditur me përkushtim dhe efikasitet prej drejtorit Qalaj, duke arritur rezultate shumë të larta në përpjekjet për të vendosur rend dhe ligj në vend”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Tutje thuhet edhe se shkarkimi dëshmon edhe mesazhin ‘e qartë e kërcënues për policët, hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit – të cilët guxojnë të merren me veprat penale të LDK-së’.

“Prandaj Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet,   Lidhjes Demokratike Kosovës, që të distancohet nga kësilloj veprimesh abuzive që duket se janë spastrime politike dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për mirëfunksionimin e institucioneve të rëndësisë së veçantë sikurse është policia”, thuhet në njoftim.

PDK ka kërkuar që drejtori Qalaj të rikthehet në pozitën e tij si drejtor, sa më shpejt dhe që policia të lihet e qetë pa ndërhyrje politike në ushtrimin e detyrës së saj fisnike.

Gjatë ditës së sotme me një vendim të Kryeministrit Avdullah Hoti është bërë shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Në vend të Qalajt si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së është caktuar, Samedin Mehmeti i cili kishte pozitën e zëvendës drejtorit.

Kryeministri Hoti shkarkon Rashit Qalajn