PDK sërish bllokojnë foltoren e Kuvendit, kërkojnë të ndërpritet seanca

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës përsëri kanë bllokuar foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do të trajtohet asnjë pikë e seancës pa u trajtuar çështja e veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Sot seancë nuk kemi me pasë, nuk kemi me trajtua asnjë pikë pa i respektua e pa i kthye me dinjitet ata protestues. Ata janë kategoria më e rëndësishme për këtë shoqëri. Kjo seancë ka me u ndërpre nuk ka me vazhdua pa i trajtua çështjen e tyre. Me aq sa kemi me mujt mos me lejua punëimet në ketë seancë deri sa ti takoni ata”, ka thënë Tahiri.

Pas fjalimit, Abelard Tahiri dhe deputetë të tjerë të partive opozitare janë ngritur në këmbë dhe kanë bllokuar foltoren e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas kësaj situate ka kërkuar edhe një orë pauzë për tu dakorduar me kryetarët e grupeve parlamentare.

“Meqenëse një pjesë e opozitës po e bllokon seancën atëherë po e marrim edhe një orë pushim dhe po vazhdojmë mos po gjejmë kompromis me kryetarë të grupeve në zyrën time”, ka thënë ai.

Edhe në pjesën e parë të seancës së sotme, deputeti Abelard Tahiri ka hequr nga funksioni mikrofonin e foltores së Kuvendit të Kosovës.

PDK ka kërkuar të anulohet seanca e sotme e Kuvendit dhe sipas PDK-së nuk duhet të mbahen seanca gjersa të zgjidhet çështja e veteranëve.

Kuvendi i Kosovës më disa ndërprerje, po vazhdon punimet e seancës plenare, ndërsa në oborrin e Kuvendit po vazhdon protesta e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit po kërkojnë që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.

Veteranët thyejnë kordonin e Policisë, hyjnë në oborrin e Kuvendit – LIVE