
Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com
PDK-së i rriten të hyrat, pagoi 40 mijë euro konsulencë për media
Partia Demokratike e Kosovës ka raportuar 1 milion e 34 mijë e 134 euro e 82 centë të hyra gjatë vitit 2024, shifër kjo e rritur krahasuar me vitin 2023, kur i kishte deklaruar 951 mijë e 483 euro.
Bazuar në Raportet financiare të paaudituara të partive politike të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezulton se PDK shpenzoi 938 mijë e 548 euro e 51 centë gjatë vitit të kaluar. Prej tyre, 59 mijë e 110 euro i çoi në fushatë, për sa kohë që të hyrat e fushatës kjo parti i pati në shumën prej 49 mijë e 420 euro.
PDK nuk ka deklaruar donacione në mjete financare për vitin 2024, megjithatë në rubrikën e mallrave dhe shërbimeve ka deklaruar donacione në vlerë prej 29 mijë e 364 euro. Në këtë rubrikë në kolonën ku duhet të përshkruhet malli apo shërbimi, kjo parti ka vendosur vetëm përshkrimin: ‘për zyrën në…’ – duke shtuar degën, por pa treguar se çfarë malli apo shërbimi ka pranuar.
2 mijë euro për zyrën në Vushtrri i ka dhënë Feim Krasniqi, 1 mijë e 800 është vlera për zyrën në Istog nga Mirsad Gegollaj, 1 mijë e 800 është vlera për zyrën në Pejë nga Agjencia për Patundshmëri “Kroni”, 1 mijë e 800 Rrahman Jakupi për zyrën në Shtime dhe 1 mijë e 800 Isuf Morina për zyrën në Klinë – janë disa nga donacionet më të mëdha në PDK.
PDK ka deklaruar se nuk posedon tokë, vetura dhe objekte.
Kjo parti ka 1 mijë e 11 euro e 17 centë si para të gatshme, 936 euro e 27 centë i ka në bankë dhe 74 euro e 90 centë në arkë.
Për hulumtim opinioni, PDK i ka paguar 6 mijë e 619 euro e 80 centë “Ubo Consulting”. Kjo parti ka paguar 40 mijë euro për konsulencë për media. Kjo shumë ka shkuar te “Republika Interactive uk ltd”, e cila ka adresë në Militon Keynes.
Gjithsej pasuri PDK ka deklaruar 28 mijë e 467 euro, kurse 117 mijë e 851 euro e 39 centë si detyrime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar më 20.03.2025 Raportet e paaudituara financiare të partive politike. Raportin e PDK-së mund ta qasni në këtë: vegëz.