PDK: Qeveria ta parandalojë shitjen e IPKO-s te Telekom Serbia

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK , Bajrush Xhemajli, ka thënë sot në konferencë për media se përpjekja e Telekom Serbisë për blerjen e Operatorit PKO si pjesë e Telekom Sllovenia, përbën rrezik të madh dhe cenon rëndë sigurinë kombëtare të shtetit të Kosovës.

“Shteti i Kosovës është duke u ballafaquar me një rrezik të madh që cenon rëndë sigurinë tonë kombëtare. Informatat se Operatori IPKO si pjesë e Telekom Sllovenia mund t’i shitet Telekomit të Serbisë, janë tejet shqetësuese, të papranueshme dhe sulm direkt ndaj sigurisë kombëtare të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Sipas Xhemajlit, shqetësuese është se gjithë këtë ngjarje deri më tani e ka përcjellë heshtja e vazhdueshme e institucioneve të shtetit të Kosovës, duke përfshirë qeverinë e kaluar të Albin Kurtit dhe qeverinë aktuale të Avdullah Hotit.

“Është shqetësuese se gjithë këtë ngjarje deri më tani e ka përcjellë heshtja e vazhdueshme e institucioneve të shtetit të Kosovës. Qeveria Kurti dhe tani qeveria Hoti, nuk kanë bërë as edhe një lëvizje të vetme për të ndaluar këtë skenar të rrezikshëm për Republikën e Kosovës”, tha Xhemajli.

Ai po ashtu ka kërkuar që kryeministri të ftojë urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të analizuar e parandaluar qasjen e Serbisë në telekomunikimin e Kosovës, përmes blerjes së operatorit IPKO.

“PDK kërkon që kryeministri të fton urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të analizuar e parandaluar qasjen e Serbisë në telekomunikimin e Kosovës, përmes blerjes së operatorit IPKO. Të njoftohet Telekomi i Sllovenisë dhe shteti i Sllovenisë që IPKO nuk mund të blihet nga shtetet që kanë qasje armiqësore ndaj Kosovës. Çdo tentim për të vazhduar këtë proces, do të konsiderohet sulm ndaj sigurisë sonë kombëtare”, tha deputeti.

Deputeti i PDK-së tha se Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Kosovës, duhet urgjentisht të ndërmarrë masat në përputhje me mandatin e tyre ligjor.

“Të japin llogari ish-kryeministri Kurti dhe kryeministri aktual Hoti për injorimin e kësaj çështjeje. Të nderuar qytetarë, ju sigurojmë që Partia Demokratike e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, dhe nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që Telekomi i Serbisë ta blejë IPKO-n. Koha e Serbisë në Kosovë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, në qershor të vitit 1999”, tha ai në fund.

Operatori i telekomunikimeve IPKO është operatori i dytë më i madh në Kosovë, pas Telekomit të Kosovës. Në vitin 2005, Telekomi i Sllovenisë kishte përzgjedhur Kosovën për të investuar në tregun e telekomunikimeve, duke blerë aksione në ofruesin e shërbimeve të internetit në vend, IPKO.

Por, tashmë IPKO është në shitje dhe Telekomi i Serbisë, që është 58 për qind në pronësi të shtetit serb, ka bërë ofertën e vet.

Anëtari i bordit të ARKEP, Shqiprim Pula ka bërë të ditur se Telekom Sllovenia, pjesë e së cilës është IPKO, në korrik 2019 e ka nisur procesin e shitjes dhe që nga atëherë procesi është i papërfunduar zyrtarisht.

Ai ka shtuar se Operatori i telefonisë mobile IPKO, nuk mund t’i shitet Telekomit të Serbisë – (Telekom Srbija), dhe po ashtu nuk mund të bëhet as bartja e të drejtës dhe detyrimeve, pa pëlqimin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP).

ARKEP: Telekomi i Serbisë nuk mund ta blejë IPKO-n

.