PDK: Qeveria Kurti t'i mbajë duart larg institucioneve të pavarura

Në një konferencë për shtyp të mbajtur nga Partia Demokratike e Kosovës, nënkryetari i saj, Shaqir Totaj, i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që t’i mbajë duart larg nga institucionet e pavarura dhe individët që, sipas tij, deri tani janë shquar për sukses.

Totaj më tej ka thënë se në mungesë të një vizioni të qartë Albin Kurti si kryeministër ka ndërmarrë veprime që sulmojnë në thelb administratën e pavarur të shtetit.

“Është e qartë se kjo qeveri nën petkun kinse të ligjshmërisë ka filluar një pastrim me agjendë politike brenda institucioneve të Kosovës. Shembull është rasti i drejtorit të Doganave që kishte ardhur në këtë pozitë pas një konkursi transparent dhe të mbikëqyrur nga Ambasada britanike madje në kohën kur ministër i Financave ishte nga LDK. Ne ftojmë këtë qeveri që t’i mbajnë duart larg nga institucionet e pavarura dhe individë që deri më tani janë shquar për sukses në të cilat shteti i Kosovës ka investuar me vite”, ka theksuar Totaj.

Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj ka thënë se direktiva e kryeministrit Kurti që ministrat të kujdesen për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në shërbimin civil është ndërhyrje e paligjshme që rrezikon pavarësinë e shërbyesve civil.

“Ajo çka bie në sy e që është shkelje flagrante e parimeve të legjislacionit në fuqi është direktiva e kryeministrit është që ministrat të kujdesen për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në shërbim civil. Përderisa kjo çështje është e rregulluar me ligj, çdo interferim i akterëve politik është ndërhyrje e paligjshme që cenon barazinë e palëve në proces dhe rrezikon pavarësinë e shërbyesve civil nga politika”, ka shtuar Totaj.

Po ashtu, ai ka përmendur rastin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba i cili ka bërë ftesë që të largohet drejtoresha e Inspektoratit Policor dhe thirrjen e deputetes Fitore Pacolli për shkarkimin e ambasadores Vlora Çitaku pas skandalit për njohjen e Kosovës nga Xhamajka.

“Ndërhyrjet e tilla vetëm sa e konfirmojnë se qëllimi prapa këtyre lëvizjeve është politik dhe në dëm të disa institucioneve të pavarura”, ka përfunduar Totaj.