Betim Gjoshi - Foto: PDK

PDK: Qeveria Kurti ka arritur marrëveshje të fshehtë me Qeverinë serbe

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka denoncuar sot në një konferencë për media marrëveshjen secrete, sipas tij, që Qeveria e kryeministrit të shkarkuar Albin Kurti ka bërë me Qeverinë serbe të Vuçiqit.

Sipas Gjoshit, me këtë marrëveshje të arritur sipas tij më 20 mars, Qeveria e Albin Kurtit ia ka dorëzuar Serbisë autoritetin shtetëror shëndetësor për një pjesë të madhe të territorit dhe popullsisë së Kosovës.

Zyrtari i PDK-së tha se marrëveshja e fshehtë që lejon futjen në Kosovë të rreth 100 mjekëve, infermierëve dhe ekipeve logjistike të komanduara nga Beogradi, përbën rikthim dhe fuqizim të strukturave paralele serbe në Kosovë.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dje ka bërë të ditur se një ekip i epidemiologëve do të dërgohen në spital të Mitrovicës së Veriut për të ndihmuar në parandalimin e COVID-19.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Shëndetësisë për ta kuptuar nëse do të lejohen epidemiologët të hyjnë në Kosovë, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Deklarata e plotë e Betim Gjoshit:

Kryeministri i shkarkuar Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca dhe u.d ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sfeçla, i kanë dhënë leje fshehurazi Serbisë që të dërgojë në territorin e Kosovës gati 100 mjekë e infermierë, për tu marrë me pandeminë e koronavirusit tek qytetarët serbë të Republikës së Kosovës.

Sipas informacioneve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Shëndetësisë në Kosovë, me datën 20 mars, qeveria e Kurtit i ka dhënë leje Qeverisë së Vuçiqit që të dërgojë në Kosovë 17 mjekë.

Pastaj, me datën 27 mars, ka dhënë leje që të futen dhe të punojnë në Kosovë edhe 56 mjekë tjerë të Serbisë dhe ekipe tjera mbështetëse logjistike të cilat kontrollohen drejtpërdrejt nga Beogradi.

Të gjitha këto marrëveshje janë bërë fshehurazi nga qytetarët e Kosovës.

Ky pra është një akt i rëndë, i një kryeministri të papërgjegjshëm, i cili me këtë vendim, ka hequr dorë nga ushtrimi i autoritetit shtetëror ndaj një pjese të madhe të territorit dhe popullsisë së Kosovës, duke e lëshuar atë autoritet në dorë të një shteti armiqësor.

Nga Qeveria e Kosovës, do të duhej, që në kushtet aktuale të rrezikut të pandemisë, këtë lloj bashkëpunimi të ngushtë shtetëror ta kishte me Republikën e Shqipërisë.

Kjo pra është hipokrizia e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri të shkarkuar, i cili në njërën anë del e shet patriotizëm e populizëm për të mashtruar qytetarët, e në anën tjetër në dëm të shtetësisë së Kosovës, bën marrëveshje të fshehtë me Qeverinë e Serbisë për të sjellë struktura shtetërore të komanduara nga Beogradi.

Me këtë akt, kryeministri në ikje ka injoruar tërësisht gjithë ata mjekë e infermierë të Shtetit të vet, të cilët janë duke i shërbyer me përkushtim e vetëmohim secilit qytetar të Kosovës pa dallime etnike.

Dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet këtij veprimi, ka rrezikuar seriozisht jo vetëm integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, por edhe vet luftën ndaj pandemisë. 

Mos kontrollimi i përqendruar i gjithë popullatës dhe territorit nga autoritetet e Kosovës, e bën të pamundur kontrollin dhe pengimin e përhapjes së koronaviruesit në vend.

Duke ia lënë autoriteteve serbe kontrollin shëndetësor mbi një pjesë të popullsisë dhe vendbanimeve serbe gjithandej Kosovës, pra në jug e veri, qendër e periferi, rrezikohet infektimi i të gjithë qytetarëve.

Luftimi i pandemisë duhet të bëhet në gjithë territorin e Kosovës dhe ne sot, nuk e dimë a ka qytetarë të Kosovës të përkatësisë etnike serbe të infektuar, sepse qeveria Kurti, e ka dorëzuar këtë kontroll tek autoritetet e Beogradit.

Ky vendim, heq maskën e kësaj qeverie të shkarkuar, e cila në publik për javë të tëra është mburrur me mënyrën se si sistemi shëndetësor kosovar ka marrë masa efikase që kanë përballuar me sukses pandeminë, e nga ana tjetër, fshehurazi publikut, cenon sigurinë kombëtare, duke rikthyer e fuqizuar strukturat paralele të Beogradit.