PDK: Qeveria ka marrë vendime ad-hoc për pandeminë

Deputetja nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha në seancën e sotme të Kuvendit ka prezantuar kërkesën e partisë së saj lidhur me propozimin për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ne theksojmë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi. Duke pasur parasysh që qeveria tani në pozocion të ri nuk ka hartuar plan strategjik për menaxhim të pandemisë, ka marrë vendime ad-hoc, ka shkelur Kushtetutën dy herë radhazi “, tha ajo.

Sipas Hoxhës, shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së Agon Musliut nga Gjilani në karantinën në Qendrën e Studentëve, duhet të zbardhen.

“Ne propozojmë që Komisioni t’i ketë 11 anëtarë dhe në pajtim me ligjin, mandati të jetë 6 muaj nga dita e themelimit të tij nga Kuvendit”, tha ajo.

Anëtarët e PDK-së në këtë komision janë propozuar Eliza Hoxha dhe Bekim Haxhiu. Kurse nga AAK-ja është propozuar deputetja Albena Reshitaj.

Nga LVV-ja Labinotë Demi-Murtezi, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku dhe Mimoza Kusari-Lila.

Nga Nisma-AKR është propozuar deputeti Endrit Shala, kurse nga LDK-ja Ilir Ferati, Ekrem Hyseni dhe Rasim Demiri.