PDK: Qeveria Hoti të shkoj në shtëpi, e paaftë në menaxhimin e pandemisë dhe armike e bizneseve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kujtim Gashi ka thënë që as Qeveria Kurti as ajo Hoti, nuk kanë menduar për qytetarët e Kosovës.

“Ne kemi përjetuar dy qeveri njëra pas tjetrës, Kurti dhe tani Hoti, pa ide pa vizion dhe pa ndjeshmëri për qytetarët e Republikës së Kosovës, shëndeti publik po rëndohet çdo ditë me rritjen e numrit të infeksioneve dhe numrit të të vdekurve, kapacitetet spitalore në mungesë, ekonomia buzë kolapsit, mbyllje e bizneseve dhe dhjetëra mira familje të zhytura në varfëri”, tha Gashi në një konferencë për media.

Ai tha që dy ish-partnerët e koalicionit kanë mbytur shpresat e qytetarëve kosovarë.

“LVV dhe LDK që në tetorin e vitit të kaluar mashtruan qytetarët e Kosovës me parulla boshe për qeverisje të shpresës janë kthyer në mbytës të shpresës për qytetarët e Kosovës”, theksoi ai.

Gashi përmendi edhe pakon ekonomike të cilat e pati propozuar PDK në fillim të pandemisë COVID-19.

“Rikujtojmë propozimin e PDK-së të para 8 muajve në vlerë prej 320 milion euro e njohur si pako emergjente për punëtorët e sektorit privat të cilat u refuzuan edhe nga qeveria Kurti edhe nga Hoti”, theksoi ai.

Deputeti Gashi ka thënë se ekonomia vazhdimisht është dëmtuar nga masat e qeverisë Hoti.

“PDK e konsideron skandaloze situatën kur ekonomia nuk ndihmohet dhe qeveria vendos ta mbyllë më shumë atë veçmas gastronominë pa ndonjë vizion  dhe pa ndonjë planë të mirë menduar. Qeveria Hoti duhet të shkojë në shtëpi sa më herët sepse është e paaftë për të qeverisur për ta përballuar pandeminë dhe për ta ndihmuar ekonominë”, ka thënë ai.

Gashi poashtu ka kritikuar masat e reja të ndërmarra nga ana e qeverisë, duke i quajtur të palogjikshme.

“Së fundmi janë marrë vendime të çuditshme sa i përket masave kufizuese siç ishte edhe vendimi i ditëve të fundit kur në fundjavë pati mbyllje të përgjithshme kur kufijtë ishin të hapur, shumë qytetarët kaluan fundjavën në vendet përreth.

Ose edhe rasti për masat e palogjikshme dhe ad-hoc, shembull në zonën e verdhë bizneset mbyllen në ora 18:00 e në atë të kuqe në ora 19:00 përkundër që ka rrezikshmëri të lartë”, tha Gashi.

Sot pritet të hynë në fuqi disa nga masat e reja të qeverisë të cilat përfshinë karantinimin e 7 qyteteve si dhe vendosjen e orës policore.

Masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19