PDK: Qeveria Hoti po i vazhdon gabimet e Qeverisë Kurti në menaxhimin e pandemisë

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, mjeku Ilir Kurtishi ka thënë se Qeveria aktuale e kryeministrit Avdullah Hoti është duke vazhduar gabimet e ish-Qeverisë së Albin Kurtit në menaxhimin e keq të pandemisë COVID-19.

Kurtishi tha se shpërthimi i rasteve me COVID-19, që po ndodh tani gjithandej Kosovës, është shumë shqetësues.

“Rritja e frikshme tregon defektet e ndryshme që e kanë përcjellë menaxhimin e pandemisë, dhe për të cilat qysh nga fillimi kemi ngritur zërin. Kësaj i jemi frikësuar dhe kjo po ndodh”, tha ai.

Kurtishi tha se PDK-ja ka dalë me rekomandime konkrete se si të bëhet menaxhimi i situatës.

“Është e pajustifikueshme dhe e pandershme që të vazhdohet të thuhet se nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme, ose laboratorë, për të bërë testime. Kosova ka shumë ekspertë të zotë, që gjatë këtyre tre muajve mund të ishin angazhuar në testim, gjurmim, izolim dhe trajtim të Coronavirusit. Dhe sot, kur është bërë hapja parë e ekonomisë, virusi është kthyer në përmasa të mëdha, ndërkohë që nuk kemi parë asnjë plan për ballafaqimin e kësaj situate”, tha ai.

Ai ka pasur kritika për udhëheqësit e Qeverisë së kaluar duke përmendur tubimin e mbajtur në shesh.

“Kulmi i papërgjegjësisë përballë pandemisë u demonstrua me organizimin e një tubimi e koncerti nga Vetëvendosje, në sheshin e Prishtinës, ku u përfshinë edhe ish krerët dhe zyrtarët e lartë të qeverisë, dhjetë ditë pasi u larguan nga pushteti. Sa ishin vetë në Qeveri, ftonin për kujdes dhe distancë sociale. Kur dolën prej saj, nuk u mërzitën për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Me keqardhje po vëmë re se edhe Qeveria aktuale po përdor të njëjtën qasje që kemi dëgjuar para tre muajve, e që në realitet maskon paaftësinë në luftën kundër Covid-19”, tha Kurtishi.

Kurtishi tha se është brengosëse mungesa e fokusit që Qeveria Hoti ka ndaj pandemisë, në aspektin shëndetësor dhe ekonomik. Rekomandimet tona për rritjen e testimeve u injoruan.

Kurtishi i ka bërë thirrje qeverisë aktuale që të mos i  përsërisë gabimet e qeverisë së kaluar, por të angazhohet sa më shpejt dhe me seriozitetin maksimal për ta ndalur përhapjen e rritjes rapide të Coronavirusit.

Ai ka apeluar te qytetarët, që të mos ulin kujdesin dhe vëmendjen.

“Kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, që ta ruajnë distancën sociale dhe të kujdesen për njëri-tjetrin. Punonjësit shëndetësorë, të cilët kanë përsipër barrën më të madhe në luftën kundër pandemisë, kanë qenë dhe janë këtu për të gjithë qytetarët”, tha ai.