PDK: Qeveria dështoi me riatdhesimin e qytetarëve

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një konferencë për media, ka folur për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë mbetur jashtë vendit gjatë kohës së pandemisë, e që tani duan të kthehen në atdhe.

Sipas saj, Qeveria në detyrë po ikë nga përgjegjësitë konkrete duke mashtruar qytetarët e diasporës.

“Bëhet fjalë për shtetasit tanë të cilët për arsye nga me të ndryshmet kanë udhëtuar jashtë vendit, kanë shprehur nevojën për t’u kthyer në vendlindje, por ende nuk iu është mundësuar kjo gjë. Prononcimet e kabinetit qeveritar të shkarkuar, se gjoja qenkan duke e menaxhuar për mrekulli çështjen e riatdhesimit është mashtrim i pastër”, ka thënë ajo.

Musliu ka theksuar se pas shtatë javësh pandemi, pa u kthyer kanë mbetur afër 75% e qytetarëve që kanë kërkuar të riatdhesohen.

“Arsyetimet që po jepen nga qeveria e shkarkuar Kurti për të justifikuar këtë braktisje, janë të pavërteta e absurde. Ka kaluar mjaftueshëm kohë për të bërë përgatitje e duhura për riatdhesimin e tyre. Në këtë moment që flasim, pas shtatë javësh pandemi, kanë mbetur jashtë vendit pa kthyer afër 75% e qytetarëve tanë që kanë kërkuar të riatdhesohen”, ka shtuar deputetja e PDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje kësaj qeverie të papërgjegjshme, që të shpenzojë më pak kohë në rrjete sociale dhe nëpër studio televizive dhe të kthejë sa më parë në atdhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, shtoi ajo.

Musliu po ashtu tha se LVV nuk duhet parë diasporën si burim të votave.

“Prandaj, shtetasit tanë që kanë ngelur jashtë vendit, sikurse e gjithë diaspora jonë, nuk duhet parë vetëm si burim votash e të ardhurash, sikurse po bën Lëvizja Vetëvendosje, por duhet parë edhe si përgjegjësi e këtij shteti”, tha më tej Musliu.

Në vend deri tani janë regjistruar 861 të infektuar me COVID-19, 561 të shëruar dhe 28 viktima.

Të gjithë qytetarët e Kosovës që vijnë nga shtetet e tjera vendosen për karantinë për 14 ditë në Qendrën e Studentëve.