
Kandidati i PDK-së, Rashit Qalaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
PDK pro Vetting-ut në Policinë e Kosovës
Një nga reformat që Partia Demokratike e Kosovës ka planifikuar t’i realizojë nëse e merr drejtimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është edhe procesi i Vetting-ut në Policinë e Kosovës.
Kandidati për deputet nga kjo parti, Rashit Qalaj, Vetting-un në Polici e sheh si të domosdoshëm, por assesi si një proces politik.
Ndërsa, për mënyrën se si do të bëhet ky proces, ai thotë, se kjo do të shihet gjatë përgatitjes së dokumenteve.
“Mendoj që është i nevojshëm edhe në sektorin e sigurisë një Vetting i mirëfillt, jo një Vetting politik, por një Vetting që e ndihmon Policinë e Kosovës dhe e ngrit besueshmërinë e qytetarëve. Se si do të bëhet Vetting-u do të shohim gjatë përgatitjes së dokumenteve”- shpjegoi Qalaj.
Si çështje me urgjencë që duhet të trajtohet, sipas tij, është edhe Ligji për Policinë, i cili duhet të ndryshohet dhe plotësohet në aspektin operacional.
“Edhe pse me ligjin aktual shkruhet që Policia e Kosovës në aspektin operacional është e pavarur apo që ministri i Brendshëm nuk përzihet në menaxhimin operacional, duhet në mënyrë decidive të shkruhet që ministrit të Brendshëm dhe politikës i ndalohet përzierja në aspektin operacional”- deklaroi Qalaj në “Debat Përnime”, më 19.01.2025.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: