PDK pritet t’i dërgojë në Gjykatë Kushtetuese 20 Ligjet e miratuara, në seancën e fundit të Kuvendit

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se do t’i dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese 20 Ligjet e miratuara, në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 05.12.2024.

Sipas tij, në atë seancë, shumica parlamentare ka vepruar në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se një vendim i tillë paraqet vazhdimësi të punës dhe angazhimit konsistent të PDK-së në mbrojtje të rendit kushtetues e vlerave demokratike.

“Duke e vlerësuar të patolerueshme një sjellje të tillë të shumicës parlamentare, e cila brenda ditës improvizoi disa seanca, në të cilat u dhunua Instituti i Shqyrtimit Parlamentar të Ligjeve – siç e përcakton Kushtetuta – kemi vendosur që 20 Ligjet e miratuara në seancat e datës 05 dhjetor 2024 t’i kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.” – ka shkruar ai.

Ndërsa, ka thënë se janë të bindur që procedura e shqyrtimit e miratimit të këtyre Ligjeve është kundërkushtetuese.

Seanca e Kuvendit të Kosovës që u ndërpre pas ‘konfrontimit’ të kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe deputetëve të Listës Serbe, vazhdoi në orët e vona të mbrëmjes së 5 dhjetorit 2024 – duke u përmbyllur me miratimin e disa Projektligjeve, të cilat u votuan vetëm nga deputetët e shumicës në Parlament.

Seanca e rregullt plenare kishte nisur punimet nga ora 14:00 dhe në rend dite kishte 27 pika. Por, ajo zgjati deri pak minuta para mesnate, 23:50, pas kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për shmangie të afateve të caktuara, për të miratuar në shqyrtim të dytë një sërë Projektligjesh.

Në këtë seancë u miratuan në lexim të dytë: ‘Projektligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030’, ‘Projektligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit’, ‘Projektligji për Shërbimin e Pagesave’ dhe ‘Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore’.

Gjatë kësaj seance, Kuvendi kaloi në të dyja leximet edhe: ‘Projektligjin për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore’, ‘Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Mjedisit’, ‘Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore’, ‘Projektligjin Kundër Dukurive Negative në Sport’, ‘Projektligjin për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale’.

Deputetët kanë miratuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksës për investime vjetore dhe asaj operacionale për 2025, Rregulloren e punës së Komisionarit parlamentar për FSK-në, Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ndërmarrjet Publike me Plotësim-Ndryshime, Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë. Si dhe, atë për Mbikëqyrjen e Ndërmarrjeve Sociale. Ndërsa, Raporti vjetor i Ndërmarrjes Publike KOSTT për 2023 nuk u miratua në mungesë të kuorumit.

‘Nëse nuk kalojnë këto ligje, rrezikohen shumë procese’- Çka ndodhi në seancën e orëve të vona në Kuvend?