Eliza Hoxha/ Foto:PDK

PDK pretendon se Ministria e Infrastrukturës keqpërdori 9 milionë euro dhe lidhi 42 kontrata njëburimore

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha në një konferencë për media ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Sipas Hoxhës, ministria e drejtuar nga Aliu për një vit, ka lidhur 42 kontrata për punë shtesë, të cilat nuk janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta të prokurimit.

“Më 18 prill të këtij viti, përmes një konference të ngjashme për shtyp, ju kemi adresuar mediave dhe qytetarëve, për të ngritur shqetësimet tona të bazuara rreth keqpërdorimit të pushtetit në Ministrinë e Infrastrukturës, duke prezantuar fakte e dëshmi për atë që ne e konsiderojmë si një ndër aferat më të dyshimta korruptive brenda kësaj ministrie. Përkatësisht, ku nga vetëm 22 marsi i vitit 2021, e deri me 7 prill të këtij viti, pra për një vit e dy javë, Ministria e Infrastrukturës kishte lidhur gjithsej rreth 42 kontrata njëburimore, duke keqpërdorur hiq më pak se rreth 9 milionë euro para të taksapaguesve, përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë”, ka thënë Hoxha.

Tutje ajo ka thënë se PDK si lidere e opozitës do të vazhdojë të këkojë llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj akterëve që siç tha Hoxha, janë përfshirë në këto afera.

“Në rrethana të tilla kur një ministri e rëndësishme siç është ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është shndërruar në mjedis ekskluziv për korrupsion e abuzim nga pushteti, dhe kur dyshimet tona të bazuara si dhe dyshimet fakto grafike të prezantuara edhe nga mediat e lira investigative tashmë e kanë nxjerrë në pah atmosferën korruptive që mbretëron në ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu, e cila atmosferë ka protagonistë të veçantë me emër e mbiemër, jo vetëm që s’kemi parë llogaridhënie e përgjegjësi, por kemi parë një mësymje të pushtetit për të legjitimuar e amnistuar këta protagonistë, gjë që flet qartë se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me emra të përveçëm, por më një sipërmarrje politike qeveritare që është e prirur për korrupsion e abuzim.”, ka shtuar Hoxha.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës lidhur me pretendimet e PDK-së, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.