Deputetët e PDK-së, Ardian Kastrati dhe Bekim Haxhiu, Foto: Islam Berisha/KALLXO.com

PDK pretendon se do të shpenzohen mbi 20 milionë euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore

Deputeti i Pratisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu pretendon se Ministria e Arsimit do të shpenzojë 20,123,240 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Në një konferencë për media, ai së bashku me deputetin tjetër të PDK-së, Ardian Kastrati kanë kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.

Deputeti Kastrati njëherësh edhe zëvendëskryesues i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024, ndërsa deputeti Haxhiu është anëtar i këtij Komisioni.

Për shkak të subvencionimit të blerjes së librave dhe mjeteve mësimore, Haxhiu mendon se ministrja Nagavci është shndërruar në një ‘recidiviste’ edhe të dështimit edhe të keqpërdorimit të buxhetit të shtetit.

“Ndjejmë keqardhje që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po shndërrohet në një recidiviste edhe të dështimit edhe të keqpërdorimit të buxhetit të shtetit, është dështim kur Ministria e Arsimit nuk arrinë me i siguru librat për fëmijët më 1 shtator dhe në anën tjetër e shkelë Ligjin për Arsimin Parauniversitar, i cili e parasheh që blerja e librave për nxënësit bëhet përmes procesit të prokurimit” – ka deklaruar Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ka ndarë disa të dhëna në bazë të statistikave të nxënësve të klasave 1 – 9 të cilat pretendon se janë të Ministrisë së Arsimit, e për të cilët tha se kanë llogaritur se sa do t’i kushtojë Ministrisë së Arsimit subvencionimi i blerjes së librave dhe mjeteve mësimore të tyre.

Për prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit ka njoftuar se do t’i subvenciojnë me 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore. 

“Nga klasa e parë deri të pestën në Kosovë janë të regjistruar 119,130 nxënës. Llogarit vendimin e Ministrisë që të subvencionohen kah 80 euro të gjithë këta nxënës, i bie që për këtë nëse të gjithë nxënësit të subvencionohen gjë që nuk ka ndodhë vitin e kaluar, atëherë Ministria të shpenzojë vetëm nga klasa e parë deri në klasën e pestë 9,531,120 euro” – tha Haxhiu.

Ndërsa, për prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit ka njoftuar se do t’i subvenciojnë me nga 110 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore. 

“Nga klasa 6 deri në klasën e 9, në Kosovë janë të regjistruar 96,292 nxënës. Vendimi i Ministrisë është që këta nxënës të sunvencionohen me 110 euro që i bie, për klasën 6 – 9, nëse të gjithë nxënësit subvencionohen e që nuk ka ndodhë vitin e kaluar, atëherë të shpenzohen 10,592,120 euro” – ka shtuar Haxhiu.

Sipas Haxhiut, në total subvencionimi i blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për prindërit e nxënësve të klasave 1 – 9 Ministrisë së Arsimit do t’i kushtojë mbi 20 milionë euro.

 “Në total nëse të gjithë nxënësit, nga klasa e parë deri te klasa e nëntë subvencionohen, Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, do të shpenzojë 20,123,240 euro” – ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka vlerësuar se shpenzimi mbi 20 milionë për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për të cilin pretendojnë, është keqpërdorim, ‘zhvatje’ e buxhetit të shtetit, sepse ai pretendon se oferta e shtëpive botuese në vitin e kaluar ka qenë 4 milionë e 800 mijë euro. 

“Nga 4 milionë e 800 mijë euro, brenda një viti Ministria (e Arsimit) ka planifikuar t’i shpenzojë mbi 20 milionë euro apo thënë shkurt mbi 15 milionë euro të buxhetit të shtetit bëhen rrush e kumbulla dhe për këtë duhet Prokuroria e Kosovës me urgjencë të veprojë dhe të ndalojë këtë keqpërdorim” – ka thënë Haxhiu. 

Kurse, deputeti Kastrati tha se kanë pranuar raportime nga drejtorët komunalë të Arsimit në Komisionin Hetimor Parlamentar për subvencionimin e blerjes së librave se vitin e kaluar, kur edhe ishte aplikuar subvencionim i blerjes së librave po ashtu, kishte pasur nxënës që e kanë përfunduar vitin shkollor pa libra.

Sipas deputetit Kastrati, subvencionimi i blerjes së librave dhe mjeteve mësimore përbën dhunë psikike dhe fizike ndaj qytetarëve. 

“Përgjegjësi kryesor është Albin Kurti, sepse ne do të bëjmë një pyetje p.sh gruaja e Albin Kurtit a do të pret nëpër librari sikur prindërit e tjerë, sikur gjithë prindërit e tjerë që kanë me prit me orë e me orë të tëra përmbi 30 gradë (Celsius)? Jo” – ka thënë Kastrati.

Më tej, ai tha se Ministria e Arsimit për subvencionimin e blerjes së librave për vitin shkollor 2023/2024 kishte shpenzuar rreth 11 milionë e 700 mijë euro. 

“Vet Nagavci e ka pranu në Komision Hetimor (Parlamentar) që kanë qenë 4 milionë e 300 mijë po më duket, diçka përmbi 4 milionë të planifikuara vitin e kaluar. Nga 4 milionë e 300 mijë të planifikuara këta me ndërrimin e këtij modeli të subvencionimit vjet i kanë shpenzu 11 milionë e 600 mijë, vet e ka thënë Nagavci, dikun 11 milionë e 700 mijë… Pra, 7 miionë euro më shumë se sa në të kaluarën” – ka treguar Kastrati.

Ai e ka vlerësuar ministren Nagavci si ministren më të dobët në historinë politike të Kosovës.

“Historia politike e Kosovës nuk ka pas kurrë ministre ma të dobët, ma të papërgatitun, ma të paaftë dhe më mediokre sesa Nagavci, e se them me inat… Përderisa kjo është e paaftë, ai që e udhëheq këta- ai është i aftë, po ai don me qeverisë përmes njerëzve të paaftë edhe me bo situatën sa ma kaotike, pra ky është (Albin) Kurti” – ka theksuar Kastrati.

Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024 deri më tani ka intervistuar drejtorë komunal të Arsimit dhe disa zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në cilësin e dëshmitarëve për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.

Përveç deputetëve Haxhiu e Kastrati, Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.

Deputeti Dreshaj në një përgjigje për KALLXO.com më 30.07.2024 kishte njoftuar se intervistimi i dëshmitarëve tjerë të mbetur nga ky Komision do të vazhdojë më 09.09.2024.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, më 15.08.2024.

Shuma prej 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025 është dedikuar në kuadër të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 14.08.2024.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 14.08.2024, fillimisht është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Arsimit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 7,375,138 euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Pastaj janë ndarë edhe 6.5 milionë euro në kuadër të masës 4.2 – Mbështetja e Arsimit, të Pakos së Ringjalljes ekonomike, për subvencionimin e materialeve dhe teksteve shkollore.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 13.08.2024 në një konferencë për media ka deklaruar se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.

“Edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, pra subvencionimit të prindërve të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë (për subvencionim) që nesër” – ka thënë Nagavci, më 13.08.2024.

Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria ka vendosur që t’i subvencionojë edhe prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 për blerjen e librave, pasi vitin e kaluar u ishte ndarë buxhet vetëm për mjete shkollore.