Kandidatja për deputete e PDK-së, Besiana Musmurati. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

PDK premton se do ta kthej modelin e blerjes së librave shkollor nga Ministria e Arsimit

Një nga temat që është ngritur gjatë përballjes së kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës në “Debat Përnime”, më 16.01.2025, ishte edhe blerje e teksteve shkollore për nxënësit në arsimin fillor.

Partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje, ndryshe nga qeveritë e kaluara, në dy vitet e fundit ka zgjedhur metodën e subvencionimit të prindërve për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Mirëpo, PDK premton se “me ardhjen e saj në pushtet” kjo metodë nuk do të zbatohet më.

Kjo parti parasheh kthimin e formës së vjetër ku vetë Ministria e Arsimit i blenë tekstet shkollore për nxënësit.

“Ne do t’i kthehemi modelit ku Ministria e Arsimit bënë blerjen e librave shkollor. Mendoj që ka qenë një vendim i gabuar [i Qeverisë Kurti] sepse i kemi parë çmimet e librave dhe çmimet për të cilat në fund shteti ka paguar më shumë. Kemi pas rritje enorme të çmimeve të librave që mendoj që është edhe keqpërdorim i buxhetit”- tha Besianë Musmurati.

Ndërsa kandidiati Azem Guri nga po e njëjta parti thotë se Ministria e Arsimit ka bërë shkelje ligjore duke subvencionuar prindërit për blerjen e librave.

“Është bërë një shkelje ligjore sepse Ligji për arsimin parauniversitar, neni 26, e specifikon shumë qartë së Ministria e Arsimit duhet t’i ndjekë edhe procedurat e prokurimit në mënyrë që t’i sjell tekstet shkollore tek nxënësit e jo t’i subvencionoj prindërit”- thotë Guri.

Metoda për t’i subvencionuar prindërit që më pas ata t’i blejnë vetë librat për fëmijët e tyre, sipas kandidates për deputete, Eliza Hoxha, është keqpërdorur pasi që në këtë formë kanë përfituar edhe prindër që nuk jetojnë fare në Kosovë. Rrjedhimisht, sipas saj, edhe kostoja ka qenë shumë me e kushtueshme për buxhetin e Kosovës.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Zotimet e PDK-së: 100 çerdhe, siguri në shkolla dhe investime qindra milionëshe në rajonin e Ferizajt