PDK premton në Podujevë qeverisje pa nepotizëm

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, së bashku me kandidatin për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu kanë vizituar disa biznese e qytetarë, pak ditë para zgjedhjeve në këtë komunë.

Gjatë vizitës në njërën nga kompanitë, Hoxhaj e ka prezentuar Fetahun si “ aleatin kryesorë të bizneseve në Podujevë”.

“Mungesa e një pako ekonomike dhe ndihmës konkrete nga ana e qeverisjes qëndrore dhe lokale, ka bërë që si të gjitha bizneset në Kosovë, edhe ato llapjane të goditen shumë nga pandemia. Naim Fetahu, për dallim prej pushtetit 20 vjeçar në Podujevë, do të jetë aleati kryesorë i bizneseve dhe vendeve të reja të punës.”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje, në njoftimin e kësaj partie  Hoxhaj ka theksuar se me kandidatin e PDK-së për të parin e Podujevës, nuk do të ketë nepotizëm dhe do të punojë për të gjithë pa dallim.

“E di që pa një librezë politike të partisë në pushtet, jo vetëm që nuk gjeni punë, por edhe largoheni nga ato që i keni. Por, kjo do të ndryshoj pas 29 nëntorit. Naim Fetahu do të jetë një kryetar për të gjithë, pa dallim. Podujeva meriton një kryetar më të mirë, ju meritoni një qeverisje më të mirë. Ndryshimi po vjen.”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, sipas komunikatës, Fetahu ka shtuar se “Podujeva do të rikthehet në një qytet të dinjitetshëm për të jetuar për të gjithë banorët e saj”.

Komuna e Podujevës që nga muaji shkurt udhëhiqet nga nënkryetari Nexhmi Rudari, pasi kryetari i saj, Agim Veliu kishte dhënë dorëheqje për tu bërë pjesë e Qeverisë Kurti.

Për shkak të pandemisë COVID-19 zgjedhjet në këtë komunë ishin shtyer, ato do të mbahen më 29 nëntor.

Për të parin e Podujevës do të garojnë tre kandidati: Naim Fetahu – PDK, Nexhmi Rudari –  LDK dhe Shpejtim Bulliqi – Lëvizja Vetëvendosje!

Certifikohen kandidatët për zgjedhje në Podujevë

 

Anulimi i zgjedhjeve në Podujevë, reagon KQZ