
PDK premton lehtësira fiskale, ulje të tatimit në pronë dhe ndërtim të Unazës së Jashtme të Kryeqytetit
Një prej projekteve më madhore që Partia Demokratike e Kosovës e ka paraparë për Kryeqytetin është “Unaza e Jashtme e Prishtinës”.
Sipas planifikimeve të kësaj partie, ky projekt pritet të kushtojë 400 milionë euro.
Projekt tjetër, që PDK e sheh me interes për qytetarët e Prishtinës, sipas kandidatit për deputet të kësaj partie, Leutrim Retkoceri, do të jetë edhe subvencionimi i fëmijëve të cilët nuk mund të regjistrohen në Çerdhet publike.
“Të gjithë fëmijët që nuk mund të regjistrohen në Çerdhet publike do të subvencionohen me nga 100 euro.” – theksoi Retkoceri.
Retkoceri premtoi edhe legalizimin e ndërtimeve dhe uljen e tatimit në pronë në rajonin e Prishtinës.
Premtime për shumë projekte për rajonin e Prishtinës dha edhe ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, i cili tani po kandidon për deputet të Kosovës.
Musliu përmendi disa lehtësime fiskale, që do të bëhen për sektorin privat në aspektin ekonomik.
“Stimujt fiskalë janë shumë të rëndësishme për sektorin privat, për faktin që kemi me ba ndryshimin e pagesës së TVSH-së.” – ka thënë Musliu.
Lirim nga tatimi në fitim për një periudhë të caktuar për biznese që punësojnë mbi 50 punëtorë apo që kanë qarkullim mbi 500 mijë euro është premtimi i radhës i PDK-së i prezantuar nga kandidati Musliu.
Në Programin e PDK-së, 100 milionë euro janë paraparë për ndërtimin dhe modernizmin e hekurudhës Prishtinë-Fushë Kosovë.
Kandidati i PDK-së për deputet, Ilirik Musliu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
Premtimet e PDK-së për reforma në Drejtësi dhe për investime në rajonin e Prishtinës