PDK: Po të miratohej ligji për KPK-në do të ishte kapje e fuqishme nga Kurti

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar se si ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po mundohet ta kontestojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për KPK-në.

Tahiri në një konferencë për media të shtunën, ka thënë se të gjitha iniciativat e Qeverisë në drejtësi nuk prodhojnë asgjë konkrete ose janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Sa herë e çojmë Albulenën në Gjykatë, si të rregullt apo kushtetuese, e fitojmë rastin. Gjitha iniciativat e tyre tashmë nuk prodhojnë asgjë konkrete apo efektive në terren. Ose janë në kundërshtim me Kushtetuesen, ose janë aq të dobëta sa nuk mbërrin efekte për t’i mundësuar qasje më të lehtë të qytetarëve në drejtësi” – ka thënë ai.

Sipas tij, po të miratohej ky ligj do të ishte kapje e fuqishme e Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Kurti.

“Është fatkeqësi me dëgju prej një ministre për rëndësinë e Avokatit e Popullit në kuadër të KPK-së siç e kishte caktuar me ligj. Është një ligj që e kemi ataku ne. Avokati i Popullit është personi i cili mbron të drejtat e qytetarëve të Kosovës që mund të shkelen nga autoritetet shtetërore, që mund të shkelen nga KPK-ja apo nga Zyra e Prokurorit të Shtetit” – u shpreh Tahiri.

Më tej, Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së ka thënë se Kushtetuta, si bazament i parimeve të drejtësisë, nuk mund dhe nuk do të lejojnë kurrë që të shkelet nga pretendimet uzurpuese të pushtetit.

“Ngjashëm si në këtë rast, do ta kundërshtojmë secilën nismë qeveritare që synon t’ia nënshtrojë të drejtën diktatit të një njeriu dhe qëllimeve autoritare të këtij pushteti”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, avokati i PDK-së Faton Fetahu, si hartues i këtij rasti në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se parasegjithash, kjo nuk është një beteje e fituar nga Grupi Parlamentar, por është një beteje e fituar nga qytetarët e Kosovës.

“Katër nenet të cilat ne i kemi kontestuar, të cilat me saktësi i konstatoi Gjykata Kushtetuese, e të cilat rezultuan me shkeljen e gjashtë neneve të Kushtetutës, preknin në thelb funksionimin e rendit tonë kushtetues. Prandaj, kjo fitore është fitore e të drejtës tonë kushtetuese përballë përpjekjeve të Qeverisë për të ndërhyrë, për ta kapur dhe nënshtruar Këshillin Prokurorial”, ka thënë Fetahu.

Ai ka sqaruar se në projektligjin i cili tashmë është rrëzuar, ka pasur një dispozitë e cila jo vetëm që zvogëlonte numrin e anëtarëve aktual të Këshillit Prokurorial, por, nga shtatë anëtarë të propozuar, dy prej tyre do t’i zgjidhte shumica parlamentare sipas këtij ligji.

“Kjo dyshe, e zgjedhur nga shumica parlamentare, do të kishte një fuqi mbizotëruese nga votat e anëtarëve të tjerë, në mënyrë që: Votimi për Kryeprokuror, votimi për avancimin, shkarkimin, largimin, transferimin, degradimin e prokurorve të merrej vetëm nga kjo dyshe”, ka thënë Fetahu.

Në fund, Fetahu tha se përmes kësaj fitoreje, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion i pavarur i drejtësisë, nuk do të ketë raport as vartësie e as varësie me shumicën parlamentare ose me pushtetin – sepse pushtetet janë të ndara dhe kjo u vërtetua dhe zbatua, fatmirësisht, edhe përmes këtij aktvendimi të Gjykatës Kushtetutese.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila shpalli të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Haxhiu përmes një konference të jashtëzakonshme e ka konsideruar paradoksale pikën e parë të vendimit të Kushtetueses.

“Së pari është paradoksale për ne se si në pikën e parë të njoftimit Gjykata Kushtetuese thekson se përbërja aktuale e KPPK-së është korporatiste. Por në pikën e fundit të njoftimit thonë se nuk mund t’i ndërpritet anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës mandatit përmes shortit. Pra për Gjykatën Kushtetuese më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së dhe atë jo të gjithëve, por disave, sesa interesi i përgjithshëm” – u shpreh ministrja Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës, Ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e Këshillit Prokurorial dhe e nenit për të Drejtën për Mjete Juridike.