Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

PDK për situatën në veri: Qeveria mos të ndërmerr veprime sporadike

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në seancën e Kuvendit është deklaruar në lidhje me situatën në veri të vendit, duke i bërë thirrje Qeverisë që të kenë një strategji për veprimet që do ndërmarrin, duke mos qenë veprime sporadike.

“Ju bëj thirrje qeverisë që të ketë një strategji për secilin veprim që do të ndërmerr në atë pjesë të Kosovës dhe mos të jenë hapa ad-hoc dhe veprime sporadike të cilat nuk do të rezultojnë me krijimin e një ambienti më të mirë për ato grupe kriminale që po shqetësojnë qytetarët” – tha Tahiri.

“Edhe ne si politikë, edhe kryeministri Kurti dhe mazhoranca që drejton vendin duhet të jenë të përgjegjshëm në raport me veprimet e tyre që ndërmarrin për ta shtrirë sovranitetin në atë pjesë të Kosovës” – shtoi ai.

Tahiri ka theksuar se kur është puna tek ballafaqimi me Serbinë, Kosovës i duhet koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Besoj se Kosovës më shumë se kurrë kur vjen puna e ballafaqimit me Serbinë, i duhet një koordinim i madh me ShBA-në. Nuk duhet të lejojmë që kjo pjesë e territorit të jetë në diskutim në tryezën e Brukselit. Kemi punu shumë, kemi pas angazhim të gjithë së bashku që të instalojmë institucionet tona në atë pjesë, gjithmonë e ka kundërshtu Serbia” – u shpreh Tahiri.

Në anën tjetër, liderët shtetëror ende nuk janë deklaruar për situatën në veri, ku në orët e vona të ditës së djeshme, një zyrtar policor ka mbetur i plagosur nga të shtëna armësh në Zveçan.

Po ashtu, në orët e para të mëngjesit, ekipi i KALLXO.com deri sa po udhëtonte me makinën e zyrës në drejtim të Mitrovicës së Veriut është sulmuar nga një grup i personave të maskuar të cilët po qëndrojnë në udhëkryqin e kësaj lagjeje.

Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit.

Dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës.