Tahiri dhe Deliu- Kodra në konferencë për media/ Foto: PDK

PDK për Raportin e Progresit: Dëshmoi paaftësinë e qeverisë për të luftuar korrupsionin

Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka komentuar gjetjet nga raporti i progresit të Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2022.

Sipas PDK-së, raporti ka evidentuar një numër të madh të problemeve me të cilat ballafaqohet vendi, me theks të veçantë, sipas tyre, dështimin e qeverisë me shëndetësinë, lirinë e mediave dhe kritikat ndaj tyre, mungesën e vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe performancën e dobët legjislative.

“Kjo Qeveri nuk ka shënuar progres në fuqizimin e gjyqësorit. Kjo tregon për paaftësinë e tyre në fuqizimin e sundimit të ligjit. Ndërkaq, nënvizohet mungesa e vullnetit nga Qeveria për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar” – tha shefi i deputetëve të PDK-së

Tahiri u shpreh se si opozitë kanë dhënë kontribut për t’i garantuar progres vendit dhe tha se kjo ka bërë që raporti të jetë i kënaqshëm në disa fusha.

“Ne dallojmë shumë me mënyrën e të bërit opozitë me partinë në pushtet. Edhe si opozitë, kemi dhënë kontributin tonë në secilën mundësi për ti garantuar progres vendit. Prandaj, si Grup Parlamentar, ne i këmi dhënë mbështetje 30 marrëveshjeve ndërkombëtare, për dallim nga e kaluara e Vetëvendosjes. Për më tepër, si opozitë ne i kemi dhënë mbështetje Qeverisë edhe për Vetingut – çka e evidenton raporti i progresit” – tha në mes tjerash Tahiri.

Ndërsa, deputetja Deliu-Kodra, tha se sfidat e raportit për vendin janë të mëdha dhe se “të njëjtat, do t’i trajtojmë edhe në Kuvendin e Kosovës përmes një seance që do ta thërrasin”.

“Raporti vërteton se nuk ka asnjë reformë të rëndësishme në aspiratën e Kosovës për integrim. Raporti vë theks në veprimet në lidhje me sundimin e ligjit, në reformat në Administratë Publike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e deri te veprimet e mangëta për të luftuar informalitetin e ekonomisë. Shqetësuese mbetet edhe gjuha linquese që është përdorur ndaj gazetarëve”, shtoi ajo.

Sa i përket punës së Kuvendit, Tahiri ka thënë se raporti thekson se ka një shumicë stabile në kuptimin e numrave, por të dobët në menaxhimin e tyre.