PDK paralajmëron "padi për shpifje" ndaj deputetes së LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, izolimin ndërkombëtar që “ia ka shkaktuar Kosovës”, po përpiqet ta shndërroj në propagandë para zgjedhjeve të shkurtit 2025.
Në një konferencë për media, më 29.11.2024, Çitaku ka thënë se ditë me parë “deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni ka shpifur se zyrtarët e PDK-së, Bernard Nikaj dhe ish zyrtari i PDk-së, Petrit Selimi kanë ndikuar në mos heqjen e sanksioneve nga BE-ja”.
Çitaku ka paralajmëruar se ndaj deputetes Kryeziu – Hyseni, PDK-ja do të ngrisë padi për shpifje lidhur me këtë deklaratë.
“E kemi ftuar këtë konferencë për shtyp për të denoncuar propagandën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje e cila mospunën e vet dhe izolimin ndërkombëtar që ia ka shkaktuar Kosovës po përpiqet ta shndërroj në propagandë para zgjedhjeve të shkurtit. Të mërkurën, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu Hyseni ka shpifur se zyrtarët e PDK-së, Bernard Nikaj dhe ish zyrtari i PDK-së Petrit Selimi kanë ndikuar në mos heqjen e sanksioneve nga BE-ja. Ky është tentim për të denigruar jo vetëm këta individë por edhe PDK-në, andaj PDK do të ngrisë padi për shpifje ndaj deputetes Kryeziu – Hyseni”- ka thënë ajo.
Sipas saj, Kosova fatkeqësisht është nën sanksione njëjtë si Rusia dhe Bjellorusia për shkak të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Masat ndëshkuese Kosovës ja ka sjell Albin Kurti me kryeneçësinë e tij dhe qeveria e paaftë e LVV-së”- u shpreh ajo.
Ndërsa tha se e vërteta për ketë çështje është krejt ndryshe.
“PDK vazhdimisht ka bërë thirrje për largimin e sanksioneve nga BE -ja në çdo takim që zyrtarët tanë kanë pasur me përfaqësues të BE-së dhe jo vetëm. Ketë e ka berë edhe kryetari Memli Krasniqi”- ka thënë ajo.
Më 27.11.2024, në një intervistë në RTV Dukagjini, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka akuzuar dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës se ata kanë kërkuar që masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës të mos hiqen.
Sipas Rrustemit, kjo kërkesë është bërë për arsye të fushatës elektorale, në kohën kur po publikohej Raporti i Progresit për Kosovën.
Lidhur me ketë çështje, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se takimi që përfshinte dy zyrtarët e PDK-së dhe dy zyrtarë të Bashkimit Europian ka ndodhur në fillim të nëntorit.
Sipas Kryeziu-Hysenit, dy zyrtarët e PDK-së të përfshirë në këtë kërkesë janë Bernard Nikaj dhe Petrit Selimi.
BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023. Asokohe, serbët lokalë protestuan para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kundër kryetarëve të rinj, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë.