PDK paralajmëron padi ndaj bordit të ZRRE-së, nëse nuk zbatohet vendimi për pezullimin e rritjes së çmimit të rrymës
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se e kanë marrë me shqetësim jashtëzakonisht të madh prononcimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në lidhje me zbatimin e vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për pezullimin e vendimit për rritjen e çmimit të rrymës.
“Deklarimet e tyre që pezullimi i vendimit të ZRRE-së për ngritjen e tarifave nuk ka hyrë në fuqi për shkak se do ta ankimojnë vendimin, është i pavërtetë. Vendimi ka hyrë në fuqi në ditën kur është publikuar dhe në ditën që e kemi marrë edhe ne edhe zyra e ZRrE-së”, tha Tahiri.
Sias tij, baza ligjore me të cilën ZRRE thirret se ky vendim nuk ka hyrë në fuqi është e paqëndrueshme.
“Andaj vendimi i Gjykatës Themelore është i qartë ky vendim ka hy në fuqi dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk duhet të paguajnë tarifa të energjisë elektrike me rritje përderisa nuk kemi vendim tjetër të shkallës së dytë, të Apelit”, tha Tahiri.
Sipas Tahirit, nëse ky vendim nuk zbatohet, PDK-ja do të bëj padi penale ndaj bordit të ZRRE-së.
“Në rast të moszbatimit të këtij vendimi i bëj thirrje Prokurorisë Speciale dhe ne do të angazhohemi po ashtu të bëjmë padi penale për bordin e ZRRE-së sepse mosrespektimi i këtij vendimi është direkt vepër penale”, tha ai.
Sipas Tahirit, ngritja e çmimit të rrymës është e papërballueshme. Andaj, i ka bërë thirrje kryeministrit dhe presidentes së Kosovës që mos të insistojnë në ngritjen e çmimit të rrymës.
Më 9 prill, Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesë padinë e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për aprovimin e tarifave të reja.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka thënë për KALLXO.com se do të dorëzojë ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës së Prishtinës, e cila ka vendosur për pezullim të vendimit për rritjen e çmimit të rrymës.